Asistentët privatë dhe vullnetarë për fëmijët me nevoja të veçanta, në kundërshtim me Ligjin

Prishtinë | 14 Pri 2019 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Asistimi i vullnetarëve në shkollat e rregullta për fëmijët me nevoja të veçanta është parë si një punë mjaftë lehtësuese si për familjet ashtu edhe për vetë fëmijët që kanë nevojë për një asistim të tillë.

Edhe pse është e nevojshme të ketë asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, Ligji i Arsimit Parauniversitar e ndalon një gjë të tillë.

Puna e këtyre vullnetarëve nëpër shkolla është në kundërshtim me këtë ligj dhe kjo po kalohet në heshtje, kështu tha në një intervistë për Ekonomia Online, drejtoresha Ekzekutive e Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri.

Beqiri tha se asistentët të cilët janë në shkolla, si ata privat të paguar nga prindërit apo edhe vullnetarët, janë duke kryer punën në kundërshtim me Ligjin Parauniversitar, sepse ky ligj ndalon angazhimin e personave privat brenda shkollave të rregullta.

“Ne kemi Ligjin për Arsimin Parauniversitar, tani edhe nëse thirremi tek ky ligj, ky ligj e ndalon angazhimin e personave privat brenda shkollave të rregullta, ne shumë shpesh e kemi potencuar sepse prindërit që i kanë fëmijët në shkolla të rregullta, shumica ata që kanë qëndruar më mirë financiarisht kanë angazhuar asistent privat ku janë paguar nga prindërit që është barrë e madhe për ta, ndërsa ligji në anën tjetër i cili ndalon angazhimin e personave privat sepse në këtë rast këta janë persona privat brenda shkollave publike”, tha Beqiri.

Asamblistja nga radhët e LVV-së në Komunën e Prishtinës, Leonora Shabani-Bajraktari, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se iniciativa e saj për të angazhuar asistentë vullnetar në shkollat e rregullta ka sjellë shumë benefite, si tek fëmijët me nevoja të veçanta, ashtu edhe për prindërit të cilët nuk kanë pasur mundësinë të angazhojnë asistent privat për fëmijët e tyre, pasi që kostoja për t’i paguar këta asistent ka qenë e papërballueshme për shumicën e prindërve.

“Kjo është iniciativë e filluar nga shtatori i vitit të kaluar nga fillimi i vitit shkollor sepse nënat që kanë fëmijë me nevoja të veçanta ta kenë këtë ndihmë. Sipas ministrisë së Arsimit është ndarë buxheti për 12 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta dhe komuna e Prishtinës ende nuk ka shpallur asnjë konkurs dhe për fat të keq fëmijët me nevoja të veçanta gjithmonë neglizhohen. Në komunën e Prishtinës do duhej të punësoheshin 12 asistentë dhe për fat të keq konkursi ende nuk është hap”, tha Shabani-Bajraktari.

Ajo tha se asistentët janë mirëpritur edhe nga stafi i shkollave, por përfituesit më të mëdhenj mbesin fëmijët që kanë nevojë për asistim.

Të ngjashme