ASK publikon rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore

Prishtinë | 17 Dhj 2018 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë (TM3) 2018.

Anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3437ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare të selektuara për anketim përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42.0%.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë(TM3) 2018ishte29.1%.

Punësimi me i lartë ishte te meshkujt (45.6%), ndërsa punësimi te femrat ishte 12.6%.Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.5 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8%,ndërtimtaria me 12.3%,arsimi me 11.5%, si dhe prodhimi me 10.5%.Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 28.4% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.6% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së,në TM32018, shkalla e papunësisë është 30.7%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.8%, krahasuar me meshkujt, 29.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.0%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM32018, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0%, me fokus të veçantë te femrat me 80.7%, krahasuar me meshkujt, 35.3%.

Për realizimin e AFP-së, TM3 2018, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme