Asociacioni i Komunave përfiton edhe një projekt nga NALAS për përmirësimin e furnizimit me ujë

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka nënshkruar  një projekt tjetër me Rrjetin e Asociacioneve të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore (NALAS), për përmirësimin e efikasitetit në ndërmarrjet për ofrimin e shërbimeve të ujit dhe kanalizimit në Ballkanin Perëndimor.

Njoftimi i plotë:

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal me NALAS (Rrjeti i Asociacioneve të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore) Asociacioni i Komunave të Kosovës ka nënshkruar edhe një projekt tjetër me këtë organizate për zbatimin e projektit RCDN (Rrjeti Regjional për Ngritje të Kapaciteteve) i cili do të zbatohet deri në maj të vitit 2022.

Marrëveshja për projektin është nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i AKK-së z. Sazan Ibrahimi dhe Drejtori Ekzekutiv i NALAS-it me seli në Shkup z. Kelmend Zajazi. Projekti mbështetet nga Minstria Federale për bashkëpunim Ekonomik e Gjermanisë (BMZ) dhe Qeveria Zvicerane- Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO).

Qëllimi i Projektit “Rrjeti Rajonal për Ngritje të Kapaciteteve” është që të përmirësoj efikasitetin dhe efektivitetin në ndërmarrjet për ofrimin e shërbimeve të ujit dhe kanalizimit në Ballkanin Perëndimor. Pastaj, në ofrimin më të mirë të shërbimeve për një numër më të madh të popullatës me qasje në ujë të pijshëm dhe kanalizim, me qëllim të përmbushjes së kërkesave të parapara nga Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian për mjedisin.

Pjesë e zbatimit të projektit do parashihet të bëhen shkëmbime të përvojave në nivel rajonal në fushën e ujërave dhe kanalizimit, trajtimi i ujërave të zeza në të ardhmen dhe gjithashtu një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përfaqësimit të nivelit lokal në Kosovë në Komisionet Këshilluese të Konsumatorëve.

AKK-ja si pjesë e Rrjetit NALAS-it do të vazhdoj të implementoi këtë projekt, i cili do të mbuloj fushat që do të ndihmojnë në organizimin më efiçientë dhe menaxhim më efektiv të furnizimit me ujë dhe shërbime të kanalizimit, përmes zhvillimit të një platforme të bashkëpunimit siç është paraparë me legjislacion në mes të Komunave dhe Kompanive Rajonale të Ujit.

Në këtë platformë do të parashihen edhe të gjitha modalitete praktike të bashkëpunimit, si koordinimi i investimeve në furnizim me ujë, infrastrukturën e kërkuar për trajtim të ujërave të zeza me planet zhvillimore komunale, bashkëpunimi në raste emergjence, kyçja e konsumatorëve në rrjet, sistemi i ujërave të zeza etj.

Vlen të ceket se, rrjeti Rajonal për Ngritje të Kapaciteteve (RCDN) punon me 16 Asociacione të Pushtetit Lokal dhe Asociacionet e Ndërmarrjeve të Ujit në 6 shtete (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi), derisa përfitues janë menaxherët e nivelit të lartë dhe të mesëm nga Kompanitë si dhe zyrtarët përgjegjës në Komuna. Zbatimi i këtij projekti të nënshkruar sot, do të bëhet deri në maj të vitit 2022.

Të ngjashme