ATK ka një njoftim me rëndësi rreth aplikimit për subvencionim të pagës

Prishtinë | 23 Sht 2021 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se të punësuarit mund të aplikojnë për subvencionim të pagës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

ATK ka bërë të ditur se të drejtë aplikimi kanë të gjithë të punësuarit e rinj, të cilët janë deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës nga korriku i këtij viti e tutje.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 13/19, datë 14.07.2021, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, si dhe Vendimet e Ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, gjegjësisht Vendimet për subvencionim sipas masave: 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë; 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar, si dhe 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave, Administrata Tatimore e Kosovës, ka zhvilluar aplikacionin dhe tashmë të punësuarit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga këto masa. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë të punësuarit e rinj, të cilët janë të deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës për periudhat nga Korrik/2021 e tutje”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i ATK-së dhe procedurat përmes së cilave mund të aplikojnë të punësuarit:

Aplikimi bëhet përmes Aplikacionit të publikuar në ueb-faqe të ATK-së www.atk-ks.org.

Pra, përmes ueb-faqes së ATK-së, të punësuarit kanë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga masat e Pakos së e Ringjalljes Ekonomike, si:

• Masa 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë – Mbështetje për tre (3) muaj nga njëqind euro (100€);

• Masa 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar – Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50€);

• Masa 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave – Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50€);

Aplikimi është i hapur nga sot dhe deri më 15 tetor 2021 në ora 24:00.

Aplikacioni “Pako e Ringjalljes Ekonomike – Kërkesë për subvencionim të pagës” është në dispozicion të tatimpaguesve, gjegjësisht të punësuarve në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org – tek linku Shërbimet elektronike.

Të ngjashme