Atomistja Era Syla fiton Medaljen e Argjendtë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Kjo është hera e dytë që Era Syla fiton medalje në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza (EGMO).

EGMO (European Girls’ Mathematical Olympiad) është garë e formatit të ngjashëm me Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës dhe konsiderohet gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha shtetet e Evropës, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës.

Për Kosovën kjo ishte pjesëmarrja e dytë me radhë, pas asaj të vitit të kaluar kur po e njëjta atomistë, Era Syla fitoi Medalje të Bronztë.

Ky sukses i jashtëzakonshëm i Erës para së gjithash është rezultat i potencialit të saj intelektual, i talentit të saj për matematikë dhe i punës së saj të palodhshme. Veç këtyre, ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, shkollës, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale.

Instituti ATOMI me këtë rast iu ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kanë kontribuuar në realizimin e potencialit të Erës dhe në arritjen e këtij suksesi të jashtëzakonshëm nga ana e saj!

Përgatitja e ekipit garues të EGMO-s, është përkrahur financiarisht e jofinanciarisht nga Instituti ATOMI, përmes sponsorizimit nga kompania Alb Architect.

Të ngjashme