Auditorja e Përgjithshme kërkon uljen e pagës për 1 mijë €, deputetët nuk e votojnë

Prishtinë | 07 Tet 2021 | 11:55 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka kërkuar ulje të pagës për rreth 25%, derisa për këtë opozita ka kritikuar Qeverinë duke thënë se është vonuar me Ligjin për Paga, raporton Ekonomia Online.

Spanca gjatë raportimit në Komision, tha se duke parë situatën dhe standardet kërkon uljen e pagës, në 2 800 euro, nga 3 821 sa ishte në total duke përfshirë edhe shtesat.

Ajo ka kërkuar nga deputetët që të merret parasysh propozimi i saj.

“Sa i përket diskutimit të pagës, e vlerësoj lartë duke i marr parasysh rrethanat e reja, duke marr parasysh standardet dhe rrethanat që jemi kam menduar se do të ishte më e arsyeshme që paga e auditorit të jetë më e ulët për shkak se si zyre ne duhet të demonstrojmë shembull, dhe propozimi im ka qenë se jo një pagë më e lartë se 2 800 euro do të ishte e mjaftueshme. Unë uroj që të merret parasysh propozimi im, sepse ju jeni ligjvënës”.

Por kërkesa e saj është shtyrë deri në javën e ardhshme kur të bëhet edhe një analizë e pagave për institucionet e ngjashme sikur ZKA.

Spanca tutje ka konfirmuar se do të ketë edhe një raport të pasqyrave financiare për vitin 2021, për Televizionin Publik.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka kërkuar nga Qeveria që sa më shpejtë ta miratojë Ligjin për Paga, derisa e ka cilësuar shembull të mirë që zyrtarët e lartë publik të kërkojnë ulje të pagës.

“Është shembull i mirë që zyrtarët e lartë publik kërkojnë të zbritet paga, por ne duhet të veprojmë sipas ligjit sepse ne e kemi kuptuar edhe më pra qe ka laramani ndërmjet institucioneve për pagat, ne mund ta kryejmë këtë mirëpo ka shumë laramani dhe me një individ asgjë nuk mund të bëjmë”.

Kryesuesi i Komisionit, Armend Muja, tha se paga aktuale e Auditorit të Përgjithshëm, e cila është rritur e kap shifrën e 1 950 euro, ndërsa me shtesa e ka bërë atë 3 821 euro.

“Është përcaktuar paga prej 1 875 euro në muaj, nga kërkesa zyrtare e Zyrës së Auditimit ne jemi njoftuar që shuma është 1 950 euro e cila është rritur në bazë të rritjes ekonomike e që shtesat kanë qenë 1 871, që e ka bërë shumë e përgjithshme 3 821”.

Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani ka thënë se auditorja Spanca është shembull i zyrtarëve të lartë që marrin paga të larta.

“Unë besoj që do të jetë një punë e mirë e profesionale që të na mundësojë të shohim saktë se si është shpenzuar paraja publike”.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar Qeverinë për vonesën në Ligjin për paga.

“Në këtë drejtim shqetësimi im është te Ligji i pagave, qeveria po vonohet dhe mazhoranca nuk po bënë asnjë presion”.

Por, deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka pyetur se nëse preket paga e Auditores së Përgjithshme, a mund të preket edhe paga e auditorëve të tjerë.

“Ju lus që të jeni të kujdesshëm sepse ju ka prekur sindromi i politikanëve, që kur e marrin detyrën çdo gjë ju është dok gabim përpara”, tha Hoti.

Të ngjashme