Austria, avokate e integrimit të Kosovës në Evropë

Prishtinë | 09 Sht 2016 | 13:06 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në UBT i zhvilloi punimet konferenca shkencore ndërkombëtare “Marrëdhëniet e popullit shqiptar me Austro-Hungarinë (Austrinë) nga shek. XIX e deri në ditët tona”, e cila mblodhi diplomatë nga të gjitha trojet shqiptare, studiues, historianë, profesorë e studentë të interesuar.

Konferenca u mbajt në dy sesione, ndërsa është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet kolegjit UBT, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”,Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, me seli në Shkup, si dhe me Shtëpisë botuese “LogosA”, Shkup.

Ligjërues në këtë konferencë thanë se se historikisht Perandoria dualiste e Austro-Hungarisë, njihet si mbështetëse dhe kontribuuese në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit të pavarur shqiptar, e pastaj edhe Austria, si ithtare e pavarësimit të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat më të mëdha ndërkombëtare. Tutje, u diskutua për rolin dhe kontributin e kësaj perandorie në kulturën, arsimin, politikën dhe shtytjen, që kjo perandori ia dha popullit shqiptar për të organizuar kryengritje, me qëllim të kërkimit të të drejtave të tyre për autonomi, e më pas pavarësim nga Perandoria Osmane, si dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga qëllimet pushtuese të Serbisë shoviniste dhe Malit të Zi.

enver hoxhaj

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se historia e bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe Austrisë është shumë e gjatë, sepse sipas tij, ky shtet ka dhënë shumë për pavarësimin e shtetit shqiptar, si dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.

“Njësoj siç ka ndikuar Amerika në pavarësimin e Kosovës, ashtu ka ndikuar edhe Austro-Hungaria në çlirimin dhe pavarësimin e Shqipërisë”, theksoi Hoxhaj, teksa shtoi se, kjo konferencë ka ardhur në një kohë shumë të rëndësishme për shqiptarët dhe në veçanti, për Kosovën. Punimet dhe përfundimet e kësaj konference do të ndikojnë për të kuptuar se, ku kemi qenë, ku jemi dhe ku duhet të arrijmë në rrugën e zhvillimit të vendeve tona”, shtoi ai.

Ai tha se Austria është një “avokat” i fuqishëm i mbrojtjes së interesave të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat e mëdha ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha, i krijimit të kohës evropiane.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, theksoi se organizimi i kësaj konference me të gjitha elementet shkencore, është tepër i rëndësishëm për të hedhur dritë në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes Austrisë dhe popullit shqiptar, sepse, sipas tij, marrëdhëniet mes austriakëve dhe shqiptarëve nuk janë vetëm perceptim politik, por është një bashkëpunim dhe respekt reciprok.

“Gjatë tërë historisë, austriakët kanë qenë shumë dashamirë për shqiptarët, jo vetëm duke ndikuar në themelimin e shtetit shqiptar, por edhe në aspektin kulturor e arsimor, duke mbështetur dhe ndikuar në formimin e shumë personaliteteve të mëdha shqiptare”, përfundoi Minxhozi.

Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, tha se konferenca është një hap shumë i madh për të vënë në dukje ndikimin e Perandorisë habsburge, respektivisht Austrisë në pavarësimin e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për vënien e bazave të albanologjisë, nga dijetarët austriak gjermano-folës të asaj kohe, teksa shtoi se, “kjo na bënë të kuptojmë që, interesat mes shqiptarëve dhe austriakëve dalin përtej interesave politike, duke krijuar kështu një interes historik mes dy popujve”.

Dekani i Fakultetit Filozofik të UP-së, Bujar Dugolli, potencoi se bashkëpunimi mes popullit shqiptar dhe atij austriak ka ndikuar në ruajtjen e paqes, zhvillimin, rritjen dhe rrugëtimin e Kosovës dhe Shqipërisë në integrimin evropian, e sidomos në fushën e arsimit. “Në kohën e demonstratave të dhunshme studentore, kur askush nuk i besonte sistemit arsimor të Kosovës, ishte Austria, e cila i pranonte diplomat e universitetit tonë dhe e shtynte përpara sistemin arsimor të asaj kohe. Sipas tij, falë këtij besimi, një numër i madh i studentëve të Kosovës kanë shkuar në Austri dhe pas studimeve dhe marrjes së njohurive, janë kthyer shumë më të përgatitur dhe të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e arsimit, ekonomisë dhe politikës në një kohë shumë të vështirë për Kosovën.

Sesionin e parë të kësaj konference e hapi historiani dhe studiuesi shqiptar, Marenglen Verli, i cili trajtoi temën “Kongresi arsimor i Elbasanit, i shtatorit 1909 në optikën e diplomacisë austro-hungareze”. Ai tregoi historikun, rrethanat dhe procesin  e mbajtjes së Kongresit të Elbasanit, si dhe qëndrimin e Austro-Hungarisë në aktivitetin e tij dhe në përgjithësi, të lëvizjes popullore të shqiptarëve.  “Kongresi ka rëndësi historike për vendimet që mori në lidhje me sistemin e shkollimit shqip”, theksoi Verli, teksa tregoi që, të gjitha këto bënë që, ne të kemi të dhëna të detajuara për zhvillimin e aktivitetit të shqiptareve në arsim, i cili, sipas tij,  ka vlerë të madhe historike për zhvillimin e kombit shqiptar.

Katerina Todoroska trajtoi temën me titull “Komiteti “Shqipëria dhe tri vilajetet””. Ajo tha se ndarja e trojeve shqiptare nëpër vilajete e kishte pamundësuar veprimin e shqiptarëve bashkërisht, por sipas saj, edhe përkundër kësaj, karakteristikë ishte se, territoret e okupuara shqiptare kishin mbetur gjithmonë të lidhura me shtetin amë, Shqipërinë. Profesoresha Todoroska tregoi rrugën e themelimit, rolin dhe veprimtarinë e këtij komiteti. “Komiteti ishte themeluar me ndihmën e qeverisë së perandorisë austro-hungareze, në vitin 1908, por nuk mbijetoi gjatë për shkak të problemeve financiare”, përfundoi ajo.

Studiuesi hungarez, Krisztian Csaplar, prezantoi kërkimin e tij shkencor “Lindja e fjalorit të parë shqiptaro-hungarez”, me ç’rast tregoi se ideja për formulimin e tij kishte ardhur si rezultat i bashkëpunimit të komitetit shqiptar dhe qeverisë së perandorisë habsburge, në një kohë kur presioni i ushtruar ndaj Austro-Hungarisë po rritej dita-ditës. “Fjalori dhe albanologjia është zhvilluar në një kohë kur perandoria po e ndihmonte popullin shqiptar, kurse në anën tjetër, po rritej presioni i Rusisë ndaj Austro-Hungarisë, për shkak të mbështetjes së madhe në rrugën e pavarësimit, zhvillimit dhe arsimimit të popullit shqiptar”, theksoi Csaplar.

Historiani shqiptar, Romeo Gurakuqi në këtë konferencë trajtoi temën “Pavarësia e kufijtë e Shqipërisë më 1913-1914 dhe politika e jashtme e Perandorisë Austro-Hungareze”. Ai tha se të gjitha arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj kohe, i adresohet fillimisht shtytjes, dhe më pas, kontributit të Austro-Hungarisë.  Megjithatë, sipas tij. Perandoria Austro-Hungareze u detyrua që gradualisht të hiqte dorë nga pretendimet për krijimin e një Shqipërie autonome të madhe, dhe krejt kjo, si pasojë e përplasjes me interesat e Rusisë.

Gurakuqi shpjegoi se Austro-Hungaria kishte bërë disa lëshime, sidomos në pjesën e Shqipërisë jugore. “Perandoria Austro-Hungareze nuk shprehte interesim të madh për pjesën jugore të Shqipërisë dhe si pasojë, problemi i kufirit të Shqipërisë me Greqinë ka mbetur i pazgjidhur sot e asaj dite”, shtoi ai.

Selim Bezeraj, shef i Departamentit të Historisë në UP, shtjelloi në pika të gjëra temën me titull “Roli i delegatit austro-hungarez në KNK gjatë viteve 1913-1914”, me ç’rast tregoi se në kohën kur asnjë prej fuqive të mëdha nuk e njihte legjitimitetin e qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali, delegati austro-hungarez e njoftonte atë në mënyrë joformale për qëllimet e Komitetit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), si dhe kishte kërkuar prej tij që, ta njoftonte me të gjitha të arriturat e qeverisë së Vlorës, si dhe, sipas tij, mundohej të shtynte delegatët e shteteve tjera të KNK-së ta njihnin aktivitetin e kësaj qeverie.

“KNK dhe roli i delegatit ishte shume i qartë. Kishte nuancë të përkrahjes së qeverisë së Vlorës, si dhe dëshironte të krijonte një unitet të përgjithshëm mes udhëheqësve shqiptar”, përfundoi
Gjatë kësaj konference ligjëruan tema dhe studime me rëndësi të madhe në këtë fushë edhe:
Ibrahim Gashi, me temën “Kryengritja e shtatorit 1913 dhe roli i Austro-Hungarisë;
Ledia Dushku, me temën “Lufta e Parë Ballkanike, Perandoria Dualiste dhe Mëvetësimi i Shqipërisë”;
Sylë Ukshini, me temën “Bashkëpunimi austro-hungarez me kryengritësit shqiptarë kundër pushtimit serb dhe malazias gjatë Luftës së Parë Botërore”;
Dorian Koçi, me temën “Roli i Austro-Hungarisë në caktimin e kufijve të shtetit shqiptar”;
Albnora Musa, me temën “Kryengritja e vitit 1910 sipas dokumentacionit vjenez dhe qëndrimi i Austro-Hungarisë ndaj saj”;
Reis Mulita, me temën “Kontributi i vazhdueshëm me Ballkanin Perëndimor nëpërmjet ortakërive inovative;
Zeqirja Rexhepi, me temën “Marrëveshja shqiptaro-osmane e gushtit të vitit 1912 në fokusin e diplomacisë austro-hungareze”;
Islam Lauka, me temën “Rivaliteti midis Rusisë dhe Austro-Hungarisë në Ballkan”.

Ligjërues tjerë ishin: Izer Maksuti, Aleksandar Stojchev, Fitim Rifati, Migena Arllati, Andi Pinari, Ilir Zylfiu, Ylber Sela, Ayten Ardel, Jorina Verli, Bendis Kraja, Shefik Shehu etj.

 

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme