Automjetet e paregjistruara rrezik për sigurinë në komunikacion, kërkohet konfiskimi i tyre

Prishtinë | 20 Maj 2018 | 08:12 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Numri i madh i veturave të pasiguruara dhe mosanëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) po ia pamundësojnë Kosovës pajisjen me Kartonin e Gjelbër, si policën ndërkombëtare për sigurimet kufitare për shtetet e Evropës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, pohoi në takimin konsultativ të Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa se në Kosovë janë rreth 60 mijë automjete të pasiguruara, që kthyer në përqindje i bie 20 % të totalit të automjeteve.

Këtë numër të madh të automjeteve të pasiguruara, eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, po e vlerëson si alarmues për sigurinë në trafikun rrugor dhe pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër.

Sipas Dedajt, kjo situatë është pasojë e keqmenaxhimit me automjete në Ministrinë e Punëve të Brendshme, raporton Ekonomia Online.

“Numri prej 60 mijë automjeteve të cilat nuk janë të regjistruara është një numër alarmues sa i përket sigurisë rrugore në komunikacion. Një menaxhim i tillë i automjeteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme është joprofesional definitivisht, për shkak se kur flasim për një numër kaq të madh atëherë nuk kemi çfarë të flasim më edhe sa i përket rrezikshmërisë dhe faktorit automjet. Thashë që është alarmuese, por kjo është një shkallë më lart se alarmuese. Kjo është çështje e keqmenaxhimit të sistemit të regjistrimit të automjeteve”, ka deklaruar ai.

Dedaj ka thënë për Ekonomia Online se duhet që sa më parë të merren masa të sigurisë dhe automjetet e paregjistruara menjëherë të konfiskohen, sepse, sipas tij, situata aktuale nuk ua jep komoditetin institucioneve që t’i lajmërojnë pronarët e automjeteve për skadimin e regjistrimit.

Dedaj thotë se kur shteti ka në mbikëqyrje edhe regjistrimin, kontrollin dhe sigurimet e automjeteve, dhe kur kemi një shifër 60 mijë automjete të paregjistruara, asnjë institucion shtetëror nuk është në funksion.

“Nëse flasim për keqmenaxhim është normale që është departamenti i regjistrimit të automjeteve në kuadër të ministrisë së Punëve të Brendshme, që duhet të merret me çdo detaj sa i përket automjeteve dhe duhet të mbajë të paktën një regjistër mbi numrin e automjeteve, kategorinë e tyre e shumë gjëra të tilla që duhet t’i kenë parasysh”, është shprehur ai.

Deda nuk beson që ndonjë shtet tjetër në Ballkan ka këtë numër të automjeteve të pasiguruara që qarkullojnë në komunikacion.

“Por, kryesorja është numri i automjeteve të regjistruara ose të paregjistruara dhe kur shohim shifrën 20 për qind të automjeteve të cilat janë të pasiguruara unë nuk besoj që ka shtet në Ballkan që ka këtë numër të automjeteve të paregjistruara që shëtiten nëpër rrugët publike”.

Mossigurimi i automjeteve që lëvizin në territorin e Kosovës paraqet njërën nga pengesat kryesore për ta marrë Kartonin e Gjelbër. Për të aplikuar për Kartonin e Gjelbër, përqindja e automjeteve të pasiguruara duhet të ulet nën 5.

Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e ndonjë shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj.).

“Sa i përket numrit të automjeteve, është shumë normale që Kartoni i Gjelbër i kërkon disa specifika. Asnjë shtet nuk ta jep ty një Karton të Gjelbër nëse ai ka rrezikshmërinë e aksidenteve prej mjeteve të cilat nuk janë të siguruara”.

“Kur të vijnë ekspertët edhe e dëgjojnë një zëvendësministër që thotë se 60 mijë automjete nuk janë të siguruara, pa marrë asnjë masë, në vitin 2018, derisa bashkësia evropiane i ka rregullat strikte sa i përket regjistrimit të automjeteve, kontrollave teknike, e shohim se nuk jemi askund në plotësimin e kushteve për Kartonin e Gjelbër”.

Pavarësisht faktit që Kosova nuk e ka këtë karton, shumica e qytetarëve, thotë Dedaj, kanë gjetur forma të tjera për të udhëtuar.

Sipas tij, ata sigurimin e automjetit e bëjnë në Bullgari, pajisen me Kartonin e Gjelbër të këtij vendi dhe udhëtojnë pa problem.

Dedaj tutje thotë se një marrëveshje me Shqipërinë për sigurimin e automjeteve do t’u krijonte mundësi qytetarëve që të pajiseshin me Kartonin e Gjelbër të këtij shteti.

“Kjo na jep një detaj të qartë se nëse kemi një marrëveshje sa i përket sigurimeve të automjeteve me Shqipërinë, ose shtetet përreth siç e bëjnë shqiptarët në Bullgari, atëherë është shumë normale që edhe qytetarët e Kosovës do të kishin mundësi të pajisen me Kartonin e Gjelbër, por jo si Kosovë”.

Ndërkohë, deri në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove të Evropës, të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, duhet të paguajnë, gjithashtu, një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetit dhe koha e qëndrimit në Kosovë.
Sipas të dhënave, rreth 10 milionë euro llogaritet të jetë vlera vjetore e grumbulluar nga tarifat e sigurimeve kufitare në Kosovë.

Të ngjashme