Autoritetet në Kosovë mund të përballen sërish me problemin e “gylenistëve”

Prishtinë | 08 Jan 2020 | 08:04 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet në Kosovë mund të përballen serish pas dy vjetësh me problemin e “gylenistëve”. Kjo për faktin se mësuesi turk, Harun Çelik, i akuzuar si pjesëtar i lëvizjes Gylen, i dëbuar për në Turqi më 1 janar nga autoritetet e Shqipërisë, rezulton të ketë hyrë në Shqipëri nga Kosova.

Bashkë me Harun Çelik ka hyrë edhe miku i tij, Selami Simsek, i arrestuar në të njëjtën ditë me Harun Çelik në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, me një pasaportë false kanadeze, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky i fundit kishte një biletë për udhëtim drejt Torontos, ndërsa pasaporta e falsifikuar kishte si afat përfundimtar muajin prill të vitit 2020. Ndërkohë, më 13 janar, pritet të dalë para gjykatës së Tiranës, Selami Simsek, miku i mësuesit turk, Harun Çelik.

Mësohet se prokurorja e çështjes, Anila Galanxhi, ka ngritur akuzën e falsifikimit të vizave për Selami Simsek, ndërsa do të jetë gjyqtari Ahmet Metalia, i cili do të japë vendimin. Bëhet e ditur nga avokatët se Selami Simsek ka kërkuar azil politik në Shqipëri, duke ndjekur të njëjtën procedurë si miku i tij Harun Çelik i dëbuar drejt Turqisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme