Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet për shkeljet e mundshme në tenderët e MSh-së gjatë pandemisë

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 11:28 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka filluar hetimet kundrejt shkelëseve në procedurat e prokurorimit publik gjatë përballjes me pandeminë e Coronavirusit.

Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi në një intervistë për Ekonomia Online tha se përkundër vështirësive të shkaktuara nga Coronavirusi, ka autorizuar Divizionin e Marrëveshjeve të Ndaluara për të filluar shqyrtimin paraprak me rastet e Ministrisë së Shëndetësisë (MSh).

“Autoriteti i Konkurrencës ka mirëpritur thirrjen e Ministrisë së Shëndetësisë që institucioni ynë dhe institucionet e tjera relevante të hetojnë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga kjo ministri gjatë përballjes me pandeminë COVID-19”.

“AKK-ja dëshiron të ritheksojë se përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia COVID-19, institucioni ynë është duke vazhduar që të jetë në krye të detyrave që u takojnë dhe se do ta autorizojë Divizionin e Marrëveshjeve të Ndaluara për të filluar shqyrtimin paraprak lidhur me rastet e MSh-së”, ka thënë ai.

Prestreshi i bëri thirrje institucioneve që të bashkëpunojnë në evitimin e çfarëdo shkeljeje.

“Dëshirojmë të njoftojmë të gjitha institucionet e Kosovës se viteve të fundit AKK-ja ka rritur edhe numrin e këshillimeve profesionale ndaj institucioneve të ndryshme”.

“Në këtë kontekst, u bëjmë thirrje institucioneve që ta thellojnë bashkëpunimin me Autoritetin e Konkurrencës në mënyrë që të evitohen çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në prokurim publik apo për çështje të tjera”.

Prestreshi theksoi se nëse evidentohet ndonjë rast do të fillojnë procedurat hetimore të shkelëseve të tenderëve, raporton EO.

“Kam autorizuar Divizionin e Marrëveshje të Ndaluara apo Divizioni ani kartel që t’i fillojë shqyrtimin paraprak dhe të shkoj në ministri të Shëndetësisë dhe t’i pyes zyrtarët përkatës se çfarë është çështja dhe problemi dhe të filloj grumbullimi i të dhënave me kusht që ta ndërtojmë rastin”.

“Nëse shohim se ka rast për konkurrencë të fillojmë një procedurë hetimore të thelluar kundrejt shkelëseve apo abuzueseve të tenderëve”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje që nga fillimi i pandemisë COVID-19 të gjitha organeve mbikëqyrëse të Prokurimit Publik, Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Policisë së Kosovës, Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike që të hetojnë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik ku autoritet kontraktues është kjo ministri.

MSh-ja ka njoftuar se ka ftuar në secilën procedurë të zhvilluar të prokurimit publik sa më shumë kompani pjesëmarrëse me qëllim të respektimit të konkurrencës dhe nxjerrjes së çmimeve sa më të favorshme me qëllim të ruajtjes së buxhetit të taksapaguesve kosovarë.

Të ngjashme