AUV-i ende s’e ka funksionalizuar fabrikën për eliminimin e mbetjeve të kafshëve

Prishtinë | 10 Sht 2018 | 08:45 | Nga

Në mungesë të një vendi të caktuar për mbetje të kafshëve, ato hidhen vend e pa vend nga thertoret dhe nga individë të ndryshëm.

Sidomos lumenjtë janë cak i hedhjes së këtyre mbetjeve, raporton KTV.

Me një problem të tillë ka kohë që po ballafaqohen edhe banorët e lagjes “Zabeli” në komunën e Gjilanit.

Si pasojë, ata e kanë të pamundur që të dalin nëpër oborre të tyre nga kundërmimi.

Pavarësisht kësaj, drejtori i Inspeksionit, në komunën e Gjilanit, Nevzad Rushiti mohon të ketë mbeturina në këtë pjesë të qytetit, sidomos mbetje të kafshëve.

Nuk është vetëm Gjilani me këtë problem. Për mbetjet e kafshëve nuk ka vend të caktuar në asnjërin nga qytetet.

Për zgjidhjen e këtij problemi, kohë më parë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kishte financuar ndërtimin e një fabrike për përpunimin dhe asgjësimin e mbetjeve të kafshëve.

Ndonëse objekti është ndërtuar, ai nuk është funksional.

Përfaqësues nga organizata “Let’s do it Kosova”, e cila merret me ruajtjen e mjedisit, thonë se hedhja e këtyre mbetjeve vend e pavend është shumë e rrezikshme për shëndetin e banorëve.

Luan Hasanaj thotë se kanë kërkuar disa herë shpjegime se pse kjo fabrikë ende nuk është funksionalizuar.

Për Hasanajn, shqetësues mbetet fakti se as Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor nuk e ka të përcaktuar në rregullore gjobitjen e njerëzve që e hedhin këtë lloj të mbeturinave.

KTV-ja, tri javë rresht, ka kërkuar një përgjigje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës se pse nuk është funksionale kjo fabrikë, mirëpo, zëdhënësi i saj, Lamir Thaçi, ka thënë se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë projekt dhe se zyrtarët përgjegjës janë në pushim.

Të ngjashme