Avni Dehari: Do t’i nderojmë ata që kanë rënë për idealin kombëtar

Prishtinë | 05 Nën 2017 | 14:13 | Nga

Në një fjalim të mbajtur para të pranishmëve që morën pjesë sot në homazhet për Astrit Deharin, babai i tij Avni Dehari ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit , duke premtuar se ai dhe familja e tij do të jenë gjithnjë mbështetës të aktiviteteve që çojnë përpara idealin kombëtar.

“Këtë do ta bëjmë që t’i nderojmë të gjithë ata që kanë rënë për këtë ideal”, tha babai i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, qindra bashkëpartiakë, familjarë, shokë e qytetarë të ndryshëm, bënë homazhe sot te varri i Astrit Deharit në njëvjetorin e vdekjes së tij.

Kortezhit i ka prirë babai, nëna, motra e bashkëshortja e ve e Astritit, të cilët kanë vënë buketa lulesh te varri i Astrit dhe të varri i Arbënorit, djalit tjetër i Avni e Xhemile Deharit, i cili kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara më 11.06.2014.

Aktivisti i VV-së, Astrit Dehari, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara përfundimisht në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016.

Dehari po mbahej aty si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në gusht të vitit 2016. (Kallxo.com)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme