Avokati Besnik Berisha: Nënkoloneli i suspenduar s’ka të bëjë me drogën siç u raportua në medie

Prishtinë | 21 Sht 2021 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar dje Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me gradën e nënkolonelit.

Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë duke hetuar një rast ku i dyshuar është një zyrtar policor me gradën e nënkolonelit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Mediat mbrëmë raportuan se nënkoloneli në fjalë dyshohet se ka rënë në përgjime me një nga të dyshuarit që është arrestuar në rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë në Lipjan në maj të këtij viti.

Ani pse bëhet fjalë për rast tjetër, siç kanë thënë burimet e medias që raportoi mbrëmë, ky i dyshuar ishte përgjuar për rastin e sekuestrimit të drogës.

Besnik Berisha, i cili është avokat i njërit prej të dyshuarve për rastin e kokainës së konfiskuar në Lipjan ka thënë se burimet kësaj radhe e paskan gënjyer gazetën dhe kjo absolutisht është e pasaktë.

“I padrejtë është dhe suspendimi që s’ka asnjë lidhje me aksionin e policisë ku u kapen 400 kg drogë. Do provohet se nuk ka vepër penale, nuk ka zbulim të fshehtësisë zyrtare. Kaq!”, ka thënë avokati Berisha, raporton Indeksonline.

Ditë më parë avokati nëpërmjet një statusi të postuar në llogarinë e tij në Facebook tha se kanë kaluar më shumë se tre muaj dhe Prokuroria Speciale akoma është duke “numëruar në vend” në rastin e 400 kg kokainë.

“Asnjë zhvillim në hetim, asnjë dëshmitarë i proceduar dhe asnjë provë e siguruar për të mbështetur dyshimin e bazuar se “MC Food” dhe stafi i saj ishin të involvuar në këtë krim. Pa çka se akoma shtatë persona të pafajshëm mbahen në paraburgim”, ka shkruar Berisha.

Ndryshe në aksionin e përbashkët mes Policisë së Kosovës, DEA-s amerikane, Policisë së Shqipërisë dhe Policisë Italiane, në maj të këtij vitit në Lipjan u konfiskuan 400 kilogramë kokainë.

Të ngjashme