Avokati i Haradinajt: Neve na duhet kohë për t’u përgatitur, ai mezi pret të nis gjykimi

Prishtinë | 14 Kor 2021 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Speciale në Hagë po mbahet seanca e radhës paragjyqësore në rastin ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Toby Cadman, avokat i Nasim Haradinajt ka thënë se mbrojtjes i duhet ende kohë që të përgatitet për procesin gjyqësor. Ai tha se nuk po e vonojnë qëllimisht kalimin në atë proces, raporton Express.

“Do të na duhet edhe pak më shumë kohë që të kalojmë në procesin gjyqësor. Ne nuk kërkojmë që ta vonojmë procesin. Po bëhen 10 muaj që Z. Haradinaj ndodhet në paraburgim”, tha Cadman.

Ai tha se Nasim Haradinaj mezi po pret që të nis gjykimi.

“Ai mezi po pret që gjërat të ecin përpara”, pohoi Cadman.

Në shtator të vitit të kaluar u arrestuan dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të ngjashme