Avokati i Popullit: Besoj se nesër arrihet marrëveshja mes qeverisë dhe grevistëve

Prishtinë | 19 Sht 2022 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit, Naim Çelaj, ka thënë që grevistët e arsimit dhe qeveria janë përafruar drejt një marrëveshjeje.

“Në shkresën e fundit që kam marrë nga sindikata unë besoj që po, besoj që është përafruar shumë edhe në këtë pikë, edhe në nuk besoj që më mbesin pika të tilla që nuk lejojnë përafrim të qëndrimit të palëve. Ajo çka kam kujdes unë sot është të mos ngutem me konstatimet e mia, sepse dua që të jem i kujdesshëm, ta ruaj rolin e ndërmjetësit duke qenë i paanshëm, neutral, dhe duke u dhënë mundësinë vetë palëve për të dalë prej situatës dhe të gjejnë zgjidhje”, ka thënë Çelaj në Info Magazine të Klan Kosovës.

Në procedurat e ndërmjetësimit, kjo është pika më e rëndësishme. Në momentin kur palët dakordohen dhe japin sinjale, qëndrimet janë përafruar, atëherë unë jam shumë I gatshëm në 24 orë, çdo moment që më ftojnë, të organizoj takim, edhe të provoj t’i përafroj këto çështje”.

“Konsideroj se përtej frymës ose debatit jo shumë të moderuar që e kanë përdorur palët në krejt këtë situatë vetëm se kanë arritur t’i balancojnë qëndrimet edhe në raport me ato që unë i kam diskutuar me palët, besoj që janë shumë afër arritjes së një zgjidhjeje, dhe arritjes së një marrëveshjeje. Përndryshe, nëse nuk ndodh kjo, unë prapë e ripërsëris, të drejtat dhe liritë e fëmijëve janë duke u shkelur shumë rëndë dhe përtej thirrjes sime palëve të reflektojnë mbi këtë bazë, unë nuk kam ndonjë mekanizëm tjetër”.

Çelaj u shpreh optimist se ndonëse ka pritur që marrëveshja të ndodhë të hënën, ajo do të ndodhë të martën.

“Në fakt, unë kam hapur një hetim sipas detyrës zyrtare dhe dua t’i shoh të gjitha aspektet që lidhen me krejt atë që ka ndodhur, me të gjitha temat që janë vendosur në diskutim të debatit publik, por edhe debatit mes palëve, por kjo nuk i konvenon zgjidhjes së momentumit aktual”.

“Ajo që unë dëshiroj shumë dhe në çfarë po punoj shumë bashkë me stafin është që ta arrijmë një marrëveshje dhe që procesi i mësimit të fillojë. Kam shpresuar shumë që do të ndodhë sot. Fatkeqësisht nuk ka ndodhur, por besoj që ka për të ndodhur nesër”.

Të ngjashme