Avokati i Popullit kërkon nga mediet që mos të publikojnë emrat e personave në karantinë

Prishtinë | 05 Pri 2020 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit ka pritur me shqetësim publikimin e disa lajmeve
nga portale që kanë publikuar lista me tabela që përmbanin emra dhe mbiemra, e shumë informata tjera, për personat që janë urdhëruar të izolohen në karantinë për shkak të Coronavirusit.

Këto publikime bien në kundërshtim me shumë norma juridike dhe po ashtu në disa rregullore që i dedikohen vet-rregullimit të mediave. Kushtetuta e Kosovës e rregullon shumë mirë këtë çështje e në veçanti neni 36 [E Drejta e Privatësisë], Ligji Nr. 06/L-082 Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligji Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, dhe Ligji Nr.2004/38 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor.

Avokati i Popullit i drejtohet portaleve që të largojnë këto lajme në mënyrë që mos të ri-publikohen nga portalet e tjera.

Po ashtu, Avokati kërkon nga mediet dhe gazetarët që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e të dhënave personale të personave në vetë izolim, karantinë, të diagnostifikuar me Covid 19, dhe të hospitalizuar, përveç ato që jepen me pëlqimin e personit.

Mediet janë duke luajtur një rol të madh në këtë mes duke dërguar gazetarë po ashtu deri në vijën e parë të frontit për të shpërndarë informacionet e duhura për publikun.

Mediat kanë edhe obligimet e veta për të përmbushur sipas Kodit Etik dhe dokumenteve tjera vet-rregulluese.

Avokati nënvizon rekomandimet e fundit të Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës (KMShK) për të gjitha mediet rreth raportimit të tyre mbi situatën me COVID-19.

Të ngjashme