Avokati i Popullit kërkon të procedohet në Kuvend Ligji për fëmijët dhe të drejtat e tyre

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 14:04 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e Ditës së Fëmijëve, përfaqësues të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) kanë mbajtur takime me fëmijë në sheshin “Skënderbeu”. Përmes disa aktiviteteve, fëmijët u njoftuan edhe për të drejtat e njeriut dhe në veçanti të fëmijëve.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se ky aktivitet po mbahet në kuadër të Ditës së Fëmijëve për të biseduar me ta dhe për t’i njoftuar për të drejtat e tyre, raporton Ekonomia Online.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka dy mandate shumë të fuqishme. Mbi bazën e ligjit dhe të kushtetutës është mbrojtja e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e fëmijëve dhe në anën tjetër është promovimi që së paku ne si institucion na thotë që janë të barazvlefshme”.

“Është një organizim për të drejtat e fëmijëve në kuadër të Avokatit të Popullit që thjesht kemi dashur të bëjmë një promovim për të njoftuar fëmijët në gjuhën e tyre, sa më të afërt, sa në mënyrë miqësore për të drejtat që kanë dhe është një organizim simbolik i kësaj dite për të kujtuar peshën dhe rëndësinë që kanë në arenën ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve”, shtoi Jashari.

Jashari tha se shpreson të procedohet në Kuvend Ligji për fëmijët dhe të drejtat e tyre dhe se do të ngrisë si çështje disa shqetësime që janë mjaft serioze sa i përket Kosovës sepse, sipas tij, Kosova ka popullsi aktive por perspektiva mungon dhe nuk është e kënaqshme për qytetarët e vendit për shkak të mungesës së punësimit.

Ai tha se si fenomen i keq i cili është duke ndodhur në vendin tonë edhe në vendet tjera, është përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë.

“Në raportin vjetor të vitit të kaluar si problem mjaft serioz ka qenë përdorimi i drogave nga të rinjtë edhe pse ky është tashmë se një fenomen çdo kund në botë, por shtetet tjera së paku kanë krijuar programet preventive ose mekanizmat që mbrojnë të rinjtë, por te ne edhe kjo duket të jetë larg prespektivës deri në fazën e tanishme”, tha Jashari.

Të ngjashme