Avokati i Popullit konstaton shkeljen e të drejtave të anëtarëve të Sindikatës së AAC-së

Prishtinë | 10 Qer 2022 | 11:09 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit ka konstatuar cenimin e të drejtave në punë dhe pengimin e organizimit sindikal nga ana e Drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi, ndaj anëtarëve të Sindikatës së Punëtorëve të ACC-së (SPAAC), të drejta këto të garantuara me ligj dhe Kushtetutë.

Sipas sindikatës, anëtarët e saj janë përballur me degradim, diskriminim dhe keqtrajtim.

“Anëtarët tanë janë përballuar me një fushatë sistematike të përndjekjes, diskriminimit dhe keqtrajtimit nga Drejtori Ejupi të cilat janë reflektuar në këtë raport, që nga presioni për të dalë nga Sindikata në këmbim me avancim, mohimi i pushimeve vjetore e i trajnimeve profesionale e deri te përjashtimi nga puna”, thuhet në komunikatën e sindikatës.

Avokati i Popullit konstaton se veprimet e tilla kanë “krijuar divergjenca dhe probleme me efekte zinxhirore”. Në raportin e publikuar tutje theksohet se “Veprimet e menaxhmentit të AAC-së ndaj zyrtarëve anëtarë të shoqatës sindikale përveç që kanë efekt tek ushtrimi i veprimtarisë sindikale, krijojnë frikë dhe pasiguri edhe tek zyrtarët e tjerë dhe pengojnë lirinë e asociimit” dhe më tutje “…anëtarët e sindikatës nuk duhet që për shkak të qenët pjesë e sindikatës të kenë pasoja të dëmshme në formë të largimit nga puna apo masa të tjera të ushtrimit të presionit.”

Avokati i Popullit këtë raport ia ka drejtuar edhe Ministrit Liburn Aliu nga i cili ka kërkuar që të ushtrojë mbikëqyrje në funksionimin e AAC.

“Zhvillimet në AAC që nga ardhja e Drejtorit Ejupi kanë rënduar aftësinë e AAC-së për ushtrimin e përgjegjësive të rëndësishme të mbikëqyrjes së sigurisë së aviacionit civil dhe kanë rrënuar autoritetin e institucionit karshi palëve të interesit”, thuhet më tej nga SPAAC.

SPAAC u formua në vitin 2020 si rezultat i pakënaqësisë së punëtorëve ndaj drejtori Bujar Ejupi.

Të ngjashme