Avokati i Popullit: Me publikimin e fotografive u shpërfillën ligjet, Kodi Penal i qartëson situatat e tilla

Prishtinë | 17 Maj 2019 | 18:52 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se me publikimin e fotografisë ku pretendohej se dhunohej një grua shqiptare nga tre ushtarë serbë, nuk janë respektuar aspak ligjet që parashohin qartë se si duhet vepruar në raste të tilla.

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke theksuar se përkufizimi i ligjit për viktimat e dhunës seksuale dallon nga rrethanat e tjera për shkak të ndjeshmërisë së këtyre rasteve.

“Publikimi i fotografisë së djeshme sigurisht se na shqetëson tej mase sepse bëhet fjalë për grupin me të ndjeshëm të shoqërisë kosovare. Kjo që ndodhi dje është një dështim i këtyre strukturave dhe individëve të cilët nuk iu kanë referuar instrumenteve që janë në fuqi”.

“Pikërisht ligji për veteranët dhe viktimat e dhunës seksuale e përcakton saktë se si duhet trajtuar këto raste. Gjithashtu Kodi Penal i Kosovës e ka një dispozitë që flet qartë për procesin e publikimit të fotografive të tilla”.

“Në fakt me publikimin e fotografisë së djeshme nuk janë respektuar aspak ligjet e lartcekura. Përkufizimi i ligjit për viktimat e dhunës seksuale dallon prej rrethanave të tjera për shkak të ndjeshmërisë së këtyre rasteve”.

Avokati Jashari ka thënë se para se të publikohet një fotografi me ndjeshmëri të madhe, duhet të merret pëlqimi i viktimës së dhunës seksuale; përndryshe është veprim i kundërligjshëm.

“Gjithashtu para se të publikohet dëshmia, kërkohet që të ketë një pëlqim nga personi që është viktimë e dhunës seksuale. Pa pëlqimin e viktimës, publikimi i fotografisë ndëshkohet me ligj”.

“Prokuroria e shtetit duhet urgjentisht të veprojë komfor ligjit. Supozojmë se është marrë pajtimi i palës së dëmtuar. Nëse po, a është kontaktuar institucioni përgjegjës për publikimin e fotografisë? Nëse konstatohet se ka pasur dështime në këto procedura, atëherë prokuroria do të duhej të veprojë sipas ligjit”.

“Dëmi që u është bërë viktimave me publikimin e asaj fotografie është i padiskutueshëm. Gjithashtu edhe kredibiliteti i viktimave për të dëshmuar është dëmtuar”.

Të ngjashme