Avokati i Popullit: Dhuna ndaj gruas mbetet problem shqetësues

Prishtinë | 25 Nën 2016 | 16:42 | Nga

Avokati i Popullit të Kosovës ka lëshuar një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, sipas të cilit dhuna ndaj gruas vazhdon të mbetet brengosëse.

Në deklaratë thuhet se si pasojë e diskriminimit dhe pabarazisë shoqërore, gruaja vazhdon lehtësisht t’i ekspozohet dhunës.

“Dhuna ndaj gruas paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe mbetet problem shqetësues, përballë të cilit, autoritetet përgjegjëse, por edhe shoqëria si tërësi, nuk guxojnë të heshtin”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë e Avokatit të Popullit:

Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, shënon fillimin e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas, jo si fushatë e shkëputur dhe e kufizuar në kohë, por si intensifikim i përpjekjeve globale për ta parandaluar  dhunën ndaj gruas.

Në kontekstin vendor, po ashtu dhuna ndaj gruas mbetet brengosëse! Në shumë raste, gruaja nuk është vetëm viktimë e dhunës së ushtruar ndaj saj, por edhe të vet mos veprimeve dhe jo prioritetit e neglizhencë e institucioneve përkatëse. Kosova ka një bazë solide ligjore për mbrojtjen nga dhuna në familje, përfshirë këtu edhe Ligjin për kompensim të viktimave të krimit Nr. 05/L -036, i cili, përkundër faktit se u njeh viktimave të dhunës në familje të drejtën e kompensimit financiar, si viktima të veprave të dhunshme penale, vazhdon të jetë i pazbatueshëm.

Avokati i Popullit rikujton autoritetet kompetente që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje për domosdoshmërinë e zbatimit të rekomandimeve  nga raportet që trajtojnë këtë çështje:

  • Fuqizimin e koordinimit të institucioneve që merren me dhunën në familje dhe bashkëpunimin më të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe shoqërisë në tërësi, për parandalimin e dhunës ndaj gruas;
  • Monitorimin e kostos buxhetore sa i përket mjeteve të dedikuara për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje;
  • Profilizimin e gjyqtarëve nëpër Gjykatat Themelore në çështjen e dhunës në familje;
  • Harmonizimin e Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje me ligjet tjera (prsh. me Ligjin e Procedurës Kontestimore) për shkak të mospërputhjeve në disa dispozita);
  • Paraqitjen e të dhënave statistikore për rastet e raportuara të dhunës në familje nëpër institucionet të cilët merren me këtë çështje (Polici, Prokurori, Gjykata etj)
  • Të dhëna të sakta zyrtare statistikore sa i përket rasteve të dhunës në familje në Kosovë
  • Ngritje të kapaciteteve – licencim të zyrtarëve për dhunë në familje
  • Trajnim të arsimtarëve sa i përket çështjes së dhunës në familje
  • Formim të Fondit Nacional për kompensim të viktimave të dhunës në familje
  • Përfshirjen në Kushtetutën e vendit edhe të Konventës së Këshillit të Evropës për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit)

Avokati i Popullit thekson se dhuna ndaj gruas mund dhe duhet të shmanget, duke vendosur energjinë dhe veprimin e përbashkët institucional e shoqëror në masa parandaluese dhe përpjekje për ta adresuar si problem dhe për të gjetur zgjidhje. Edukimi i përgjithshëm e ngritja e vetëdijes përkitazi me rëndësinë e trajtimit të barabartë gjinor, si dhe gjithëpërfshirja e gruas në secilin segment të jetës sociale, ekonomike dhe kulturore janë thelbësore për arritjen e progresit të përgjithshëm. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme