Avokati i Popullit: Mungesë e qasjes në drejtësi në veri të Mitrovicës

Prishtinë | 08 Gus 2016 | 17:26 | Nga

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin ExOfficio me rekomandime përkitazi me mungesën e qasjes në ndërtesën e gjykatës në pjesën veriore të Mitrovicës, respektivisht mohimit të së drejtës për qasje në drejtësi.

Qëllimi i këtij raporti është të tërheqë vëmendjen e autoriteteve përgjegjëse nëse gjykata në pjesën veriore të Mitrovicës siguron qasje në drejtësi dhe nëse kjo qasje është në pajtim me standardin e trajtimit të barabartë të qytetarëve para Kushtetutës.

Me anë të këtij raporti Avokati i Popullit synon të tërheqë vëmendjen e institucioneve kompetente për pasojat negative nga moszbatimi i ligjit, shkeljet e të drejtave themelore të njeriut lidhur me qasjen në drejtësi dhe të rekomandojë zgjidhje të mundshme.

Raporti sqaron se bllokimi i lëndëve në pjesën veriore dhe mosfunksionimi i plotë i sistemit gjyqësor në Mitrovicë për më shumë se tetë vite paraqet shkelje serioze të drejtave të njeriut të garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky raport fokusohet në të drejtën për qasje në drejtësi – e drejtë kjo fundamentale dhe gjithashtu mjet fuqizues dhe mundësues i realizimit të të drejtave të tjera.

Duke i pasur parasysh elementet të cilat e karakterizojnë të drejtën për qasje në drejtësi – e cila kërkohet përmes gjykatave, mund të konsiderohet se në rastin e Gjykatës së Mitrovicës është shkelur kjo e drejtë në përgjithësi dhe në veçanti: 1) Mohimi i qasjes në informata; 2) Qasja në vendime gjyqësorë dhe 3) Mosgatishmëria e gjykatës me juridiksion për të vepruar.

E drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut detyron shtetet të garantojnë të drejtën e çdo individi për të pasur qasje në gjykatë – ose për të marrë mbrojtje gjyqësore lidhur me çështje penale, civile, administrative apo qoftë edhe për të konstatuar se të drejtat e individit janë shkelur. Duke ditur që mbi 2 700 lëndë civile dhe mbi 1 500 lëndë penale kanë mbetur të paproceduara, konsiderohet se jo vetëm që ka diskriminim të një pjesë të qytetarëve të Kosovës (komunat veriore), por kjo paraqet edhe një rëndesë dhe humbje të kredibilitetit dhe besueshmërisë në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Së këndejmi, Avokati i Popullit konstaton se shtetasve të Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe banorëve të asaj pjese të vendit, që bie në kompetencë territoriale të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, u është penguar vazhdimisht e drejta për qasje në drejtësi që nga 20 shkurti 2008 e deri më sot. Ky mohim për qasje në Gjykatën në pjesën veriore të Mitrovicës, shkel:

Të drejtën për gjykim të drejtë e përcaktuar dhe e mbrojtur me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe me nenin 102 paragrafi 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Me rastin e shkeljes së drejtës për qasjes në gjykatë shkelet edhe e drejta për mjete efikase juridike të përcaktuar dhe të mbrojtur nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe me nenin 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Të drejtën për gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur e krijuar me ligj, e drejtë kjo e përcaktuar dhe e mbrojtur me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ);

Të drejtën për mbrojtje gjyqësore të drejtave të përcaktuar me nenin 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

Të drejtës për mbrojtjen e pronësisë dhe pronës e përcaktuar dhe e mbrojtur me nenin 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – KEDNJ-së (protokolli shtesë Paris, 20.III.1952) përkatësisht me nenin 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

Funksionimi jo i rregullt i sistemit gjyqësor dhe mohimi i të drejtës për qasjes në gjykatë shkakton pasojat serioze edhe në sundimin e ligjit, forcimin e rendit publik dhe mbrojtjen e rajonit nga praktikat e kundërligjshme;

Parashkrimet ligjore: Veprat penale për të cilat në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës parashihet parashkrimi, si pasoj e mungesës së qasjes në gjykatë dhe funksionimit jo të rregullt të organeve gjyqësore pas kalimit të afatit të paraparë ligjorë arrijnë parashkrimin.

Në bazë të këtyre konstatimeve, dhe në përputhje me nenin 135, par. 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16, par. 8 të Ligjit Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit rekomandon që:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në afatin sa më të shkurtër kohor të funksionalizojë sistemin gjyqësor në rajonin e Mitrovicës, duke mundësuar kështu qasjen në lëndët civile dhe penale të bllokuara prej vitit 2008 dhe të procedojë me ato që do të vijojnë;

Gjykata në pjesën veriore në Mitrovicë të marrë masat e nevojshme për heqjen e të gjitha pengesave fizike dhe administrative të qasjes në dokumente dhe të bashkëpunoi në nivelin e duhur me pjesën tjetër të degëve të Gjykatës së Mitrovicës.

Raporti i plotë i Avokatit të Popullit lidhur me mungesën e qasjes në ndërtesën e gjykatës në pjesën veriore të Mitrovicës, respektivisht mohimit të së drejtës për qasje në drejtësi, u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse, sot më datë 8 gusht 2016. Në pajtim me nenin 132, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 28 të Ligjit Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit pret të informohet me shkrim për veprimet e ndërmarra lidhur me çështjen në fjalë, brenda afatit tridhjetë ditor.

Raportin me rekomandime në formën e tij të plotë, ashtu siç u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse, e gjeni të publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së linku KETU

Të ngjashme