Avokati i Popullit: Të verbërit të lirohen nga tatimi në pronë

Prishtinë | 21 Qer 2018 | 16:03 | Nga

Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një mendimi juridik ka njoftuar se i ka përcjellë Gjykatës Themelore të Prishtinës rekomandimet në lidhje me vendimin që ju mohon personave të verbër lirimin nga pagimi i tatimit në pronë.

“Avokati i Popullit, në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae), ia ka përcjellë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mendimin Juridik lidhur me cenimin e të drejtave të personave të verbër, respektivisht mosrespektimin e dispozitave ligjore për lirimin nga tatimi në pronë, sipas ankesës së Shoqatës së të Verbërve në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit, gjatë trajtimit të rastit në fjalë e ka vërejtur se Komuna e Gjakovës nuk po i zbaton dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-092, për Personat e Verbër, në bazë të të cilave personat e verbër lirohen nga tatimi për pronën e paluajtshme.

“Avokati i Popullit më tej vëren se, në disa komuna personat e verbër lirohen nga tatimi në pronën e paluajtshme sipas dispozitave të Ligjit për Personat e Verbër. Për më shumë, Avokati i Popullit vëren se arsyetimi për moszbatimin e dispozitave të Ligjit për Personat e Verbër nga Komuna e Gjakovës mbështetet në qëndrimin e Ministrisë së Financave, sipas të cilit Komunat e Republikës së Kosovës janë të obliguara ta zbatojnë Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme Nr.03/L-204, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-100, duke i shpërfillur kështu dispozitat e Ligjit për Personat e Verbër”, thuhet në opinionin e Avokatit të Popullit.

Për të evituar këtë situatë, Avokati i Popullit njofton se ka dërguar një letër me rekomandime në MAPL, por që nuk kanë pranuar ende përgjigje.

“Avokati i Popullit gjatë trajtimit të kësaj çështjeje i ka dërguar një Letër Rekomandim ministrit të Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal (MAPL) me rekomandimin që në pajtim me kompetencat dhe autorizimet që burojnë nga ligji, të nxjerrë qarkore, me të cilën kërkohet nga të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës, lirimi i personave të verbër nga tatimi në pronën e paluajtshme”, njofton Avokati i Popullit.

Në lidhje me këtë rast po ashtu edhe Shoqata e të Verbërve në Gjakovë ka parashtruar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin për Çështje Administrative kundër vendimit të Komunës së Gjakovës, me të cilin refuzohet lirimi i personave të verbër nga tatimi në pronën e paluajtshme dhe lidhur me rastin në fjalë aktualisht është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore në këtë gjykatë.

“Avokati i Popullit në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae), bazuar në nenin 16, paragrafin 9, të Ligjit Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, sipas të cilit Avokati i Popullit mund të paraqitet në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae) në proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, i ka përcjellë Gjykatës Themelore në Prishtinë mendimin juridik, i cili e përmban analizën ligjore dhe konkluzionin e Avokatit të Popullit përkitazi me çështjen në fjalë”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Me këtë rast, Avokati i Popullit ka theksuar se parimi i shtetit të së drejtës, si parim themelor i Kushtetutës, i obligon organet shtetërore, ta respektojnë/zbatojnë legjislacionin e aprovuar nga legjislativi i vendit. Më tej, Avokati i Popullit ka theksuar se zbatimi i parimit të ligjshmërisë dhe parimit të shtetit të së drejtës nga organet administrative dhe gjyqësore ofrojnë garanci përmes së cilës ndërtohet një sistem efikas juridik që ofron siguri juridike për qytetarët.

Të ngjashme