Avokati tregon të rejat rreth klientit të tij që vrau ‘hajnin’, ka një kërkesë

Prishtinë | 01 Dhj 2018 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Vrasja në Veternik është ndër temat më të folura në media ditëve të fundit.

Ngjarja ndodhi natën e së enjtes, kur katër persona hynë për të vjedhur në një shtëpi në lagjën Veternik të Prishtinës.

Personat ishin të armatosur dhe në shkëmbim e sipër të zjarrit me pronarin e shtëpisë R.B, mbeti i vdekur Kujtim Krasniqi.

Dyshohet se edhe personi që mbeti i vdekur në rast ishte i armatosur.

Rasti u komentua jashtëzakonisht shumë. Qytetarët dolën në mbrojtje të pronarit të shtëpisë R.B i cili la të vdekur njërin nga katër hajnat.

Madje edhe drejtësia doli në anën e tij, R.B u bë njeriu i parë në Kosovë i dyshuar për vrasje i cili nuk u arrestua nga policia.

Derisa rasti është ende duke u hetuar, lajmi.net ka kontaktuar me avokatin e R.B, Besnik Berisha, i cili ka thënë se njësitet hetimore janë duke kryer veprimet e nevojshme deri në ndriçim të plotë të rastit dhe kapjen e kryerësve që janë në arrati.

Berisha për lajmi.net ka treguar gjithashtu se është bërë progres nga hetuesit në drejtim të zbulimit të rastit, e kjo falë qytetarëve.

“Është bërë progres nga hetuesit falë edhe kontributit të shumë qytetarëve, të cilët janë të ngopur me dukuri të tilla dhe e duan vendin të qetë dhe të sigurt për secilin”, tha Berisha.

Ai gjithashtu e ka konsideruar klientin e tij, R.B si viktimë i cili gëzon mbrojtje ligjore dhe përkrahje institucionale.

“Sa i përket klientit tim, ai është viktimë që gëzon mbrojtje ligjore dhe përkrahje institucionale. Këto të drejta janë duke u respektuar maksimalisht nga institucionet që kanë kompetencë dhe detyrim kushtetues ligjor mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha më tutje Berisha.

Ai gjithashtu shtoi se në emër të klientit të tij, falënderon të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike për qasjen ndaj rastit. Mirëpo ka kërkuar që për hir të rrethanave dhe ndjeshmërisë, të mos e shfaqin më tutje fotografinë e personit R.B.

“Në emër të klientit tim, falënderoj të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike për qasjen objektive dhe kujdesin e treguar në këtë rast të hidhur për të gjithë ata që janë kundër krimit. Për hirë të shumë rrethanave dhe ndjeshmërisë së rastit, luteni që të mos shfaqni më tutje fotografinë e klientit tim”, shtoi Berisha.

Berisha gjithashtu ka falënderuar qytetarët që në mesazhet e tyre dhe në forma të ndryshme kanë shprehur përkrahje.

“Një falënderim i veçantë edhe për të gjithë qytetarët, që me mesazhet e tyre dhe në forma të ndryshme kanë shprehur përkrahje dhe kanë dënuar sulmin e bërë ndaj tij, duke u distancuar nga dukuritë e tilla që vazhdojnë ta trazojnë secilin nga ne, ditë e përditë”, përfundoi Berisha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme