Avokati Vllasi lirohet nga spitali

Prishtinë | 14 Mar 2017 | 12:57 | Nga

Avokati Azem Vllasi, mbrëmë është liruar për në shtëpi. Vllasi ka qëndruar në Klinikën e Traumatologjisë duke iu nënshtruar ekzaminimeve të ndryshme nga ana e mjekëve pas plagosjes nga Murat Jashari, mëngjesin e ditës së hënë.

Lajmin se Vllasi është liruar mbrëmë nga spitali, e ka konfirmuar bashkëshortja e tij, Nadira Avdic-Vllasi.

“Mbrëmë ka qenë në shtëpi. Sot jemi në spital për t’i përfunduar edhe disa ekzaminime”, ka thënë ajo për Gazetën Express.

Ndërkohë që deri më tani sipas mjekëve të QKUK, Vllasi ka një lëndim në regjionin e shpatullës. “Nuk ka gjakderdhje e cila mund ta komprometojë gjendjen e tij shëndetësore”.

“Plumbi ka hyrë në pjesën e përparme, dhe ka shkaktuar një thyrje të ashtit të krahut. Pasi nuk kishte problem për heqjen e plumbit, ajo u bë me anestezion lokal. Vllasi lëviz dhe ecë nuk ka probleme”, kishte thënë Arben Grazhdani mjek në QKUK.

Policia ka arrestuar dy persona si të dyshuar për tentim-vrasjen e Vllasit. Sot gjatë ditës pritet të mbahet seanca për ta.

Avokati Azem Vllasi është plagosur dje në mëngjes te banesa e tij në rr. “Hajdar Dushi”, në Prishtinë. Policia rastin e ka cilësuar si tentim-vrasje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme