AVONET shpreh keqardhje për qytetarët e vendit të cilët janë lënduar apo kanë humbur jetën e tyre në vendin e punës

Prishtinë | 01 Maj 2019 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 1 Majit-Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, ka uruar gjithë punëtorët në Republikën e Kosovës për ditën e punës, njëherit kanë shprehur respektin dhe nderimin duke i kujtuar gjithë familjet të cilat kanë humbur familjarët e tyre nëpër vendet e punës.

“Duke e shënuar dhe duke iu referuar ditës së punëtorëve, OJQ “AVONET”, shpreh keqardhje të thellë për gjithë qytetarët e vendit tonë të cilët kanë humbur jetën e tyre në mënyrë tragjike si dhe ata të cilët janë lënduar në vendet e punës, duke shpresuar se në Republikën e Kosovës të mos përsëriten e të mos shkaktohen më vdekje e lëndime të punëtorëve në vendet e tyre të punës”, shkruhet në komunikatën për media.

AVONET, në vazhdimësi është angazhuar në monitorimin e kushteve dhe sigurisë në punë, gjithashtu ka raportuar dhe njoftuar institucionet përgjegjëse si dhe opinionin e gjerë lidhur me aksidentet e rënda në punë, për fat të keq në pjesën e madhe të këtyre rasteve ka pasur aksidente me pasoja fatale për shëndetin e punëtorëve.

“Konstatojmë se përkundër avokimit dhe thirrjeve të vazhdueshme nga ana e shoqërisë civile, sindikaliatëve e të shoqatave për mbrojtjen e punëtorëve, gjendja dhe kushtet e sigurisë në punë akoma paraqesin shqetësim të lartë, është evidente moszbatimi i masave të duhura apo zbatimi i pamjaftueshëm i rregullave për sigurinë dhe shëndetin në punë, mosrespektimi dhe moszbatimi i ligjit të punës, të orarit të punës, pushimit vjetor, shëndetësor e të lehonisë.”

AVONET shkruan se siguron gjithë punëtorët se do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të monitorojmë këtë problematikë shqetësuese që po humb jetën e njerëzve, do të identifikojmë shkaktarët dhe faktorët e aksidenteve në punë, do të identifikojmë përgjegjësit e aksidenteve të shkaktuara në punë, gjithashtu do të sensibilizojmë institucionet shtetërore në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve si dhe në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të domosodoshme në parandalimin e aksidenteve në vendet e punës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme