Azemi: Shumë punëtorë të sektorit privat kanë marrë borxh në emër të 100 eurove

Prishtinë | 18 Maj 2022 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar për faktin se Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndarë 100 euro për punonjësit e sektorit privat.

Azemi në një bisedë për emisionin “SOT” në KTV ka thënë se punonjësit e sektorit privat kanë pritur të marrin stimulimin nga 100 euro prej Qeverisë para festës së Bajramit. Madje shumë prej tyre kanë marrë edhe borxhe në emër të kësaj.

Azemi thotë se ministri i Financave, Hekuran Murati, duhet të dalë me shpjegim pse nuk janë ekzekutuar këto mjet.

“Kemi hyrë në javën e 6 që kur Qeveria mori vendim për të stimuluar punonjësit me nga 100 euro. Punëtorët kanë pritur para Bajramit të dalin këto. Para dhjetë dite kemi kërkuar nga ministri Murati të dalë me shpjegim, por nuk ka dal. Prapë edhe dje i kemi bërë kërkesë, që të dalë e të tregojë ku është problemi, pasi po shihet se ka problem. Shumë punëtorë të sektorit privat në saje të 100 eurove kanë hyrë në borxhe për festën e Bajramit. Jemi në pozitë të palakmueshme. Nuk e kuptoj se si personi që duhet të japë llogari, nuk e bën këtë. Është shumë jokorrekte që për 6 javë të mbahen 30 milionë euro të punëtorëve të sektorit privat”, tha Azemi.

Ai ka shtuar se nuk beson se shifra prej 290 mijë aplikuesve nga sektori privat është e saktë.

“Jam i bindur se shifra nuk shkon mbi 250 mijë. Ata i kanë shifrat më të sakta, por s’besoj se janë 290 mijë që kanë aplikuar për këtë shumë”, tha Azemi.

Të ngjashme