Bahtiri: Nga janari ura është e lirë, afër do ndërtohet edhe xhamia

Prishtinë | 14 Gus 2016 | 14:19 | Nga

Pas disa shtyrjeve të afateve rreth heqjes së barrikadës dhe rivitalizimit të urës kryesore të Ibrit në qytetin e Mitrovicës, sot kanë filluar punimet mbi këtë urë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit, ndërsa, procesi që ka kushtuar rreth një milion euro është duke u realizuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë zhvillimit të punimeve ishte prezent edhe kryetari i jugut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, derisa ka munguar kolegu i tij nga veriu Goran Rakiq.

Bahtiri u shpreh i lumtur për fillimin e rivitalizimit të urës, duke e quajtur ditën e sotme si ditë të mirë për qytetarët e Mitrovicës të të dyja pjesëve të qytetit.

Ai foli edhe për ndërtimin e xhamisë tek ura e Ibrit, për të cilën tha se ndërtimi i saj është pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe kjo do të ndodhë.

“Sot është një ditë e mirë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës pavarësisht nacionalitetit…Po vie radha edhe këtë park me hjek, pastaj bëhet rivitalizimi i gjithë urës, për të bërë të mundshëm bashkimin e qytetit dhe qytetarët, që qytetarët të lëvizin të lirë, por edhe automjetet, që do të ndodhë në janar të vitit të ardhshëm…I falënderoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të veriut dhe jugut, të cilët më kanë dëgjuar që të krijojmë një stabilitet… Ne kemi planifikuar në Bruksel se vendi tek xhamia është pronë e Bashkësisë islame dhe xhamia do të fillojë punën”, ka thënë Bahtiri.

Ai mungesën e kryetarit të veriut të Mitrovicës Goran Rakiq e ka arsyetuar duke thënë se aktualisht nuk ndodhet në Kosovë.

Ndryshe, sipas marrëveshjes së Brukselit të arritur në gusht të vitit të kaluar, krahas rivitalizimit të urës parashihet edhe rekonstruimi i rrugës kryesore në veri të këtij qyteti, që do të shndërrohet në zonë për këmbësorë, përkatësisht shesh dhe do të mbaj emrin e ‘Kral Petrit’.

Punimet të cilat po realizohen nga kompania “Sintek-K-ing” për Kosovë dhe Maqedoni, parashihen të përfundojnë pas pesë muajsh dhe ura do të hapet për qarkullim më 20 janar të vitit të ardhshëm./Lajmi.net/

Agim Bahtiri

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme