Bahtiri pret në takim Hotin, vazhdon mbështetjen e Programit Nacional për Rininë

Prishtinë | 05 Sht 2019 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në vazhdën e takimeve me kryetarë komunash, sot vizitoi kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Koordinatori Hoti e njoftoi Bahtirin se që nga muaji shtator do të fillojë Gara Nacionale në Sport në katër sportet; futsall, volejboll, atletikë dhe shah, duke filluar nga niveli shkollor, komunal dhe republikan.

“Nga 44,723 fitues të garave në gjithë Kosovën të cilat janë mbajtuar në kuadër të Programit Nacional për Rininë, nga Komuna e Mitrovicës janë 1088 fitues. Të gjithë këta nxënës do të shpërblehen dhe kjo është e bukura e garës. Fëmijët tanë do të ndihen të vlerësuar dhe ne jemi duke punuar që të gjithë nxënësit tanë të përfshihen në garë në mënyrë që të nxjerrim në pah talentet e tyre. Nga ky muaj ne do të fillojmë edhe me Garën Nacionale në Sport e cila po realizohet për herë të parë me parimin e gjithëpërfshirjes në formë te kampionateve qoftë përmes eliminimeve apo në formë të ligave”, tha Hoti.

Ndërsa, Kryetari Bahtiri e falënderoi Hotin për punën që po bën për nxënësit dhe premtoi mbështetje për zbatimin e programit. “Unë ju kam mbështetur që nga fillimi kur keni prezantuar këtë program. Ju përgëzoj dhe sigurisht që do ta keni mbështetjen time sepse konkurrenca e dinjitetshme është çdoherë e mirë. Të gjitha këto shpërblime sigurisht se do të jenë një motiv për të rinjtë”, tha Bahtiri.

Komuna e Mitrovicës së Jugut në Garën Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik ka pasur 651 nxënës fitues në nivelin shkollor, 77 për nivelin komunal dhe 35 për nivelin republikan. Kurse, në Garën Nacionale të Diturisë për nivelin shkollor 1012 fitues, nivelin komunal 68 nxënës fitues dhe në nivelin republikan 8 nxënës fitues.

Të ngjashme