Banka për Zhvillim e KE-së ia jep Kosovës 25 milionë euro për blerje të vaksinave

Prishtinë | 19 Mar 2021 | 18:19 | Nga Ekonomia Online

Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB) ka miratuar dhënien e huas shtesë prej 25 milionë eurove, për të mbështetur autoritetet e Kosovës në blerjen e vaksinave kundër koronavirusit, për gati 50 për qind të popullsisë.

Kjo hua do të mbulojë edhe koston për materialet shpenzuese, bashkë me harxhimet lidhur me shpërndarjen e vaksinave dhe pajisjeve mjekësore.

Kosova pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Me këtë hua të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Kosova besohet se do të mund të blejë vaksina për 50 për qind të popullsisë.

Guvernatori i kësaj banke, Rolf Wenzel ka thënë se Banka për Zhvillim është e lumtur që do të mund të ndihmojë Kosovën në përgjigjjen e saj ndaj pandemisë, si dhe të adresojë qasjen jo të barabartë në vaksina.

“Kjo gjë nuk është thelbësore vetëm për të tejkaluar krizën aktuale me pandeminë, por edhe për të zbutur pabarazitë sociale dhe ato ekonomike në rritje, si pasojë e pandemisë”.

Kjo hua sigurohet pas një marrëveshjeje prej 35 milionë eurosh, të nënshkruar në gusht të vitit 2020 në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Bankës për Zhvillim, me qëllim të mbulimit të shpenzimeve të nxitura nga pandemia.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.

Të ngjashme