Banorët e Nivokazit me vetiniciativë nisin ndërtimin e lapidarit për 39 të rënët në luftën e fundit

Gjakovë | 16 Dhj 2019 | 17:49 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e as Qeveria nuk u dolën në ndihmë, andaj banorët e fshatit Nivokaz të Gjakovës, ndërmorën një vetiniciativë për ndërtimin e lapidarit për 11 dëshmorë dhe 28 martirë të këtij fshati.

Ndërtimin e këtij lapidari e kanë marrë shumë seriozisht, pasi që gjatë ditës së hënë, vendosën gurëthemelin për të përkujtuar heroizmin, jetën dhe veprën e dhjetëra bashkëfshatarëve që u flijuan në luftën e fundit në Kosovë.

Demë Sadiku, banor i këtij fshati tha për Ekonomia Online se ndërtimin e këtij lapidari ua kanë borxh të rënëve për liri.

“Po bëhet fjalë për 11 dëshmorë të kombit dhe 28 martirë, gjithsej 39 i ka fshati Nivokaz, që ka qenë mjaftë i dëmtuar, si nga ana njerëzore e mos të flasim për anën materiale, që ka qenë komplet fshati pa asnjë shtëpi i rrënuar. Ne jemi vonuar pak, u kemi borxh këtyre bashkëfshatarëve tonë që kanë dhënë jetën për liri që ne e gëzojmë sot, por shpresoj se me këtë lapidar që është një projekt shumë i mirë, do t’iu dalim haku dhe do ta zbardhim edhe jetën e tyre që e kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Sadiku tha se premtime për ndihmë kanë marrë nga drejtoria për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore Historike dhe nga Komuna e Gjakovës, nga të cilat presin përgjigje pozitive.

“Ne e kemi nis me vetëfinancim por kemi premtime nga qeveria dhe nga Komuna, respektivisht drejtoria për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore Historike, na ka premtuar që do të na përkrah me një shumë por ajo duhet që të miratohet në Kuvend por edhe në Komunën e Gjakovës kemi bërë kërkesë që shpresojmë edhe aty do na dalin në ndihmë, sepse lapidari kushton mjaftë shumë”, ka thënë ai.

Për fund, Sadiku ka apeluar tek qytetarët e këtij fshati që të fillojnë të dhurojnë të holla për këtë lapidar.

“Ne vetëm i kemi njoftuar se do t’a bëjmë këtë lapidar, nga sot kemi bërë apelin dhe veçse kanë filluar që të dhurojnë të holla për këtë lapidar”, ka thënë ai.

Ky projekt pritet të përfundojë më 27 prill të vitit të ardhshëm, ku shënohet dita e masakrës së Mejës dhe kostoja e këtij projekti kap shifrën e 70 mijë eurove.

Të ngjashme