Banorët e Orllanit kërkojnë tu sigurohet furnizimi me ujë, Matoshi premton gjetjen e fondeve

Prishtinë | 15 Jan 2019 | 14:25 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banorët e Orllanit kanë mbajtur takim me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi në lidhje me kërkesën e mjeteve buxhetore të ndara më 2018 për projektin “Furnizim me ujë të pijshëm për banorët e Orllanit”.

Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi tha se largimi i mjeteve ka ndodhur me 25 qershor në kohën kur ai nuk kishte qenë fare ministër.

Matoshi tha se shpesh herë nga banorët e Orllanit është fyer, por që nuk ka qenë i fajshëm për këtë.

“Ne kemi mund me i diskutuar bashkë pa probleme dhe me thënë ku u avulluan 1 milion euro sepse ministri nuk do me iu shpërngulë. E kemi diskutuar disa herë projektin gjithmonë kam pas ndërhyrje dhe njohuri se po bëhet për një projekt 1.2 milion apo 1.3 milion euro kur erdhi buxheti i aprovuar në qeveri unë e kam vërejtje këtë ndryshim”, tha ai.

Nga projekti i Orllanit ishin larguar 200 mijë euro në vitin 2018 dhe 700 mijë në 2019.

“Puna e largimit të mjeteve te projekti i juaj ka ndodh me 25 qershor unë atë kohë nuk e kam udhëheqë këtë ministri”, tha Matoshi.

“Buxheti i aprovuar për 2018 e ka pasë të paparaparë që në vitin 2020 të jetë 740 mijë euro. Jemi vonuar sepse projekti ka ardhur vonë me 16 tetor. Nuk është aprovuar për shkak të kornizës buxhetore që është shkurtuar”, tregoi Matoshi.

Matoshi tha se nuk ka qenë i kënaqur me fjalët për të cilat kishte dëgjuar që fliteshin për të.

“Ne kemi diskutuar disa herë kam dëgjuar fjalë se po duan me naj zmadhuar liqenin e me na shpërngulë nuk është e vërtetë”, tha ai.

Matoshi u premtoi atyre se fondet do të gjenden.

“Projekti në gjysmë nuk do të mbetet, fondet kanë me u gjet. Ky është prioritet i yni dhe jam duke punuar dhe do te i rikthejmë fondet, besoj se deri më 31 janar do të i kthejmë”, tha Matoshi.

Rexhep Zeka, banor i Orllanit njëherit nga OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” sqaroi para ministrit për problemin që e kanë gjithë banorët e kësaj ane me mungesën e ujit të pijes, raporton EO.

“Orllani me fshatra përreth nuk është i kyçur me ujësjellësin e Prishtinës, kemi bërë kërkesa me shkrim që nga 2011 nuk kemi pas asnjë përgjigje nga institucionet, 2017 kemi filluar në mënyrë aktive me shumë nga banorët që janë këtu dhe tjerët me ngrit idenë se sa e nevojshme dhe urgjente është nevojë për ujë të pijshëm për banorët e Orllanit dhe fshatrat përreth”.

Zeka tha se asnjëherë nuk kanë marrë asnjë përgjigje pozitive nga institucionet që iu janë bërë kërkesa.

“Mbi 400 banorë e kanë ngrit zërin për ketë çështje kemi pas kërkesë ndaj gjitha institucionet ku në fund më 2017 jemi ftuar nga komisioni për të drejta të njeriut ku nga aty disa deputetë kanë marrë përsipër me bërë amendamentet për ndarje buxhetore në i kemi informatat veç e veç secilin deputet ju kemi tregu që sa është e rëndësishme që ata banorë me u furnizuar për ujë”, tha Zeka.

Ai tha se kjo zonë ka filluar të braktiset nga banorët për shkak të mungesës së ujit.

“Orllani po braktiset për shkak të mungesës së ujit. Ne kemi pritë nga insitucionet që të koordinohemi bashkë, kemi dërguar disa kërkesa”, tha ai.

“Është fat i keq që banorët e Orllanit kanë mbetur pa ujë. Një mospapërgjegjësi e ministrisë dhe e komunës së Podujevës që nuk kanë qenë të sqaruar për banorët e Orllanit”, shtoi Zeka.

Të ngjashme