Banorët e Taslixhes tash e katër ditë pa ujë të pijes

Prishtinë | 23 Kor 2019 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Banorët e një pjese të lagjes Taslixhe në Prishtinë tash e katër ditë kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

Tash e katër ditë, banorët e rrugës “Igballe Prishtina”, në afërsi të lagjes Taslixhe apo siç njihet ndryshe “Avalla”, kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

Këtë e kanë bërë të ditur banorët e kësaj lagje.

Florije Hajrizi, banore në këtë pjesë të kryeqytetit ka thënë për lajmi.net, se përfaqësues të KRU “Prishtina”, i kanë thënë që gjatë ditës së sotme do të fillojë furnizimi me ujë të pijshëm.

“Prej të shtunës nuk kemi ujë. Na kanë thanë që është prish një pompë edhe kanë thanë që sot në mëngjes e lëshojnë ujin, po hala jemi pa ujë”, ka treguar ajo.

Të njëjtën gjë e thonë edhe banorët e tjerë.

“Sot kemi qenë në ujësjellës edhe na kanë thanë që dalim në vend të ngjarjes”, ka thënë Jashar Aliu për lajmi.net.

Edhe Burjai, banues në këtë pjesë të Prishtinës ka thënë se nga ujësjellësi i kanë premtuar që sot do të rikthehet uji i pijshëm.

“Na kanë thanë që sot në 03:00 të mëngjesit kanë me u lëshu krejt pompat e ujit e në ora 07:00 kemi me pas ujë”, u shpreh Bujari.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka konfirmuar për lajmi.net se ka probleme me furnizim të ujit të pijshëm në këtë pjesë të kryeqytetit.

Mjeku ka thënë se i gjithë ky problem ka ardhur si pasojë e problemit teknik në pompat e Mirëditës dhe Velanisë.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se punëtorët e KRU “Prishtina”, janë duke punuar në sanimin e defektit të pompës në mënyrë që sa më shpejt të rikthehet uji i pijes.

“Problemi teknik në pompat e Mirditës në Velani mbetet ende, dhe ne jemi duke punuar në rehabilitim të saj, dhe për momentin jemi duke i furnizuar me ujë përmes autocisternave deri në zgjidhje sa me të shpejtë gjegjësisht rregullimin e pompës që furnizimi të ju rikthehet sa më shpejtë. Punëtorët teknik janë tu u marrë me sanimin e defektit në pompë”, ka deklarua Mjeku. 

Të ngjashme