Bashkëpunimi në fushën e sigurisë Kosovë-Shqipëri: Sveçla e Çuçi në Tiranë, drejtorët e Policive në Prishtinë

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Shqipëria synojnë rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Drejtues të institucioneve të dy vendeve janë takuar sot ndërmjet veti.

Derisa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla ka shkuar për vizitë në Tiranë ku është takuar me homologun shqiptar, Bledi Çuçi, drejtori i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu ka ardhur në Prishtinë për ta takuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Samdein Dalipi.

Në një njoftim nga Ministria e Brendshëm e Shqipërisë, Bledi Çuçi priti sot në një takim zyrtar ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe delegacionin që e shoqëronte, në përbërje të të cilit ishin zyrtarë të lartë të Ministrisë dhe Policisë së Kosovës.

Të dy homologët diskutuan çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, si funksionimi i marrëveshjeve kufitare mes dy vendeve, mundësia e rikategorizimit të pikës kufitare të Shishtavecit, si dhe risitë që sjell për shtetasit e Kosovës projektligji i ri për të huajt.

U bisedua gjithashtu edhe për intensifikimin e bashkëpunimit policor në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe trafiqeve në të dyja anët e kufirit, si dhe koordinimi për çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit europian të dy vendeve tona.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme