Bashkëpunimi rajonal i rëndësishëm për proceset integruese në BE

Prishtinë | 16 Dhj 2019 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Si udhëheqëse e radhës e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përkatësisht Departamenti për Bashkëpunim Rajonal, ka organizuar të hënën në Prishtinë konferencën e radhës me temën ”Si të forcohet tregu dhe investimet në Evropën Juglindore”.

Në këtë konferencë, e cila u organizua në bashkëpunim edhe me Odën Ekonomike të Kosovës, morën pjesë përfaqësues të odave ekonomike të vendeve të rajonit: Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bullgaria dhe Turqia. 

Zëvëndës/ministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, në hapjen e kësaj konference potencoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si paraprirës në proçeset integruese në Bashkimin Evropian.

“Përmirësimi i ambientit investues, ndarja e praktikave midis vendeve tona, përmirësimi i infrastrukturës, integriteti dixhital, por edhe zbatimi i reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, janë disa nga temat të cilat do të ndikonin drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, theksoi zëvendës/ministrja Vuniqi.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z.Berat Rukiqi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik rajonal, por edhe bashkëpunimin ndërmjet odave ekonomike të vendeve të rajonit si dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Në këtë konferencë panelistët në diskutimet e tyre shkëmbyen përvojat e tyre duke treguar edhe të dhëna lidhur me eksportet dhe investimet e huaja direkte në vendet që përfaqësojnë, si dhe renditën disa nga sfidat dhe barierat me të cilat ballafaqohet rajoni ynë.

Domosdoshmëria e debateve publiko-private për rritje të investimeve të huaja direkte, lëvizja e lirë, stabiliteti politik, lufta kundë korrupsionit, janë disa nga sfidat me të cilat duhet të përballet rajoni në mënyrë që të krijojë një ambient më të sigurtë ekonomik.

Në anën tjetër pozita e favorshme gjografike, korniza e mirë ligjore, popullsia e re në moshë, krijimi i parqeve të biznesit të cilët ofrojnë kushte të mira për investitorët në aspektin e infrastrukturës, por edhe energjisë, shihen si avantazhe për të rritur investimet e huaja direkte në rajon, në veçanti në  Kosovë.

Në këtë kontekst disa nga çështjet të cilat duhet të shikohen me prioritet janë fuqizimi i kompanive vendore, duke nxitur bashkëpunimin e tyre me kompanitë e mëdha ndërkombëtare, por edhe fokusimi në edukimin dhe kualifikimin e popullatës në aftësitë profesionale, si dhe krijimi i kushteve për nxitur prodhimin në vendet e rajonit.   

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme