Bashkësia Islame e Kosovës sqaron problemin me mishin e prishur të kurbanëve

Prishtinë | 22 Gus 2019 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Bashkësia Islame e Kosovës, përmes një komunikate, ka reaguar rreth raportimeve se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar rreth 21 tonelata mish, lloji i gjedhit në një depo të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Në këtë drejtim, përmes një komunikate thuhet se Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, më datë 21 gusht 2019, ka kërkuar nga AUVK-u, që të jap mendimin profesional për sigurinë e një sasie të mishit të kurbaneve që ndodhej në depon e cila është marrë me qira.

Po sipas komunikatës, AUVK është kontaktuar pas dyshimit që kanë ngritur aktivistët dhe një pjesë e përfituesve të mishit të kurbanit.

“Me të marrë këtë shqetësim, Kryesia e BIK-ut, fillimisht ka ndërprerë shpërndarjen, e më vonë ka bërë edhe tërheqjen e mishit që ishte shpërndarë. Inspektorët e AUVK pasi që kanë dalë në vendngjarje, kanë konstatuar se mishi që gjendej në depo nuk është i sigurt për konsumim dhe se i njëjti duhej të asgjësohej, gjë që edhe ka ndodhur, pra është asgjësuar në të njëjtën ditë nën mbikëqyrjen e AUVK, duke respektuar të gjitha procedurat që i parashohin ligjet në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast, Kryesia e BIK-ut, njofton opinionin e gjerë se sivjet ka therur kurban 1391 krerë lopë – aksioni për therjen e kurbaneve është bërë në dy thertore, një në Hungari, ku janë therur 1150 krerë lopë dhe një në Istog, ku janë therur 241 krerë lopë, duke shtuar se mishi i asgjësuar i përket një sasie të mishit të therur në Istog, që sipas inspektorëve të AUVK është prishur, pasi që nuk është ngrirë në përmasat e duhura.

“Kryesia e BIK-ut, njofton opinionin se sasia tjetër e mishit është e sigurt dhe pritet që shpejt të arrijë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente do t’u shpërndahet kategorive sociale. Kryesia e BIK-ut, sqaron për besimtarët që kanë porositur kurban në BIK, se amaneti i tyre në bazë të parimeve islame është kryer, ndërsa Kryesia do të hetojë rrethanat në të cilat është prishur mishi dhe në bazë të të gjeturave do të marrë masat e duhura që në të ardhmen mos të na përsëriten gjëra të tilla. Në fund, falënderojmë për korrektësinë dhe bashkëpunimin institucionin e AUVK-ut, mjetet e informimit, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në sqarimin e opinionit publik”, përfundohet në komunikatën e BIK-ut. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme