Bashkësia Islame në Prizren dënon keqpërdorimin e citateve të Kuranit nëpërmjet afisheve

Prishtinë | 11 Shk 2021 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren, të enjten, ka njoftuar se nuk ka lidhje me afishet që janë shpërndarë në këtë qytet ditë më parë, me anë të cilave kërkohej besimi për një subjekt politik.

“KBI-Prizren e njofton opinionin publik se nuk ka asnjë lidhje me afishet e shpërndara nëpër vende publike, në Prizren. Përkundrazi, Bashkësia Islame e dënon fuqishëm këtë keqpërdorim të citateve të Kuranit nëpërmjet këtyre letrave e afisheve”, thuhet në reagimin e këtij Këshilli.

Sipas njoftimit të KBI në Prizren, personi që e ka vendosur një afish të tillë në shtyllën elektrike afër selisë së KBI-së në Prizren, tashmë është identifikuar nga kamerat e sigurisë.

“Bëhet fjalë për një qytetar që megjithatë njihet mirë se nuk ka ndonjë prapavijë, porse i beson mendimeve të tij personale”, shpjegohet në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.

KBI në Prizren i ka bërë thirrje qytetarëve të Prizrenit, besimtarëve islamë, që të përmbahen nga ndonjë veprim i papeshuar që mund të nxisë gjuhën e urrejtjes, “në këtë periudhë të ndjeshme parazgjedhore, por të gjithë si vëllezër e motra, të promovojmë paqe e përbashkim rreth vlerave tona fetare e kulturore”.

Ditë më parë, aktivistë të degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren kanë shprehur shqetësimin për shpërndarjen e këtyre afisheve, duke e cilësuar këtë veprim si të rrezikshëm për Kosovën.

Të ngjashme