BE-ja do t’ua ashpërsojë vizat zyrtarëve bjellorusë shkaku i imigrantëve

Prishtinë | 29 Sht 2021 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian do t’i ashpërsojë rregullat për viza për zyrtarët shtetërorë bjellorusë, tha të mërkurën komisionerja evropiane për imigrim, si hakmarrje për atë që ajo e cilësoi përpjekje agresive të Minskut për ta destabilizuar bllokun duke i shtyrë përpara imigrantët e parregullt.

BE-ja e akuzon presidentin bjellorus, Aleksander Lukashenko, për orkestrimin e rritjes së ndjeshme të numrit të imigrantëve në kufirin perëndimor të Bjellorusisë me Poloninë, Lituaninë e Letoninë.

Rritja e numrit të imigrantëve ndodhi në kohën kur BE-ja i vendosi sanksione Bjellorusisë për abuzimin e të drejtave të njeriut dhe për zgjedhjet që janë vlerësuar si proces gjerësisht i manipuluar, shkruan Reuters.

“Çfarë po shohim tani është një Lukashenko i dëshpëruar. Ky është një regjim që popullit të vet ia ka mohuar zgjedhjet e lira dhe të drejta. Ky është një regjim që po e burgos opozitën politike”, tha komisionerja, Ylva Johansson.

“Ky është një regjim që ka marrë peng një fluturim pasagjerësh dhe tash po përdor njerëz të pafajshëm në një akt agresioni. Ky është një regjim me të cilin nuk duhet të bashkëpunojmë”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, Lukashenko e ka fajësuar Perëndimin për atë që e cilësoi katastrofë njerëzore që do të ndodhë këtë dimër në kufirin mes Bjellorusisë e Polonisë.

Të ngjashme