“BE-ja e interesuar për fuqizimin e ndërmarrjeve kosovare”

Prishtinë | 06 Tet 2016 | 13:14 | Nga

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në takim u diskutua rreth intensifikimit të bashkëpunimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë në funksion të përmirësimit të mjedisit afarist dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ministrja Bajrami e informoi Apostolova me aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në lidhje me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, forcimit të ndërmarrjeve, tërheqjes së investimeve të huaja, etj.

Projekte të rëndësishme të cilat ndërlidhen drejtpërdrejt me zbatimin e MSA-së po financohen nga Bashkimi Evropian dhe me këtë rast, ministrja Bajrami e falënderoi zyrën e BE-së për mbështetjen e pakursyer jo vetëm rreth impelemtimit të MSA-së por edhe në projekte të shumta që kanë kontribuar dhe po ndikojnë në fuqizimin e ekonomisë së Kosovës.

Në anën tjetër, Apostolova theksoi se Bashimi Evropian është i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Qeverinë e Kosovës në zbatimin sa më të suksesshëm të MSA-së, dhe fuqizimin e mëtejmë të ndërmarrjeve kosovare.

Ajo ofroi gatishmërinë e Zyrës së BE-së për të punuar ngushtë me MTI-në në shumë projekte që ndërlidhen me rritjen e ndërmarrjeve dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë.

 

Të ngjashme