BE-ja përgatitet për vëzhgimin e zgjedhjeve, kërkon nga partitë të zbatojnë rekomandimet

Prishtinë | 20 Sht 2019 | 11:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e BE-së në Kosovë ka mbajtur konferencë për medie lidhur me zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 6 tetor, raporton EkonomiaOnline.

Kryevëzhguesja e misionit të BE-së, Viola von Cramon-Taubadel, tha se BE-ja i kushton rëndësi të jashtëzakonshme këtyre zgjedhjeve dhe se në fund të këtij procesi do të bëjë një vlerësim në tërësi të procesit zgjedhor.

“Jam e nderuar që më është dhënë ky rast që të jem në krye të vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE-ja. Kjo reflekton zotimin e vazhdueshëm të BE-së për të mbështetur zgjedhjet që janë transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. Si mision ne nuk jemi të interesuar në rezultatin e zgjedhjeve ne shpresojmë që prania jonë do ketë efekt pozitiv në frenimin e dukurive të pahijshme që mund të jenë gjatë procesit të zgjedhjeve. Misioni ynë përbëhet nga një ekip prej 9 ekspertëve që janë këtu në Prishtinë. Ne parashikojmë që të na bashkëngjitet edhe një grup prej 7 deputetëve nga parlamenti evropian”, tha ajo.

Po ashtu ajo tha se do të monitorojnë edhe disa mediume për të shikuar raportimet përkitazi me procesin zgjedhor.

“Deri në ditën e zgjedhjeve misioni do të vlerësojë mjedisin e zgjedhjeve, ne gjithashtu do të vlerësojmë edhe sjelljet e mediumeve ku do të monitorojmë 8 mediume. BE i kushton rëndësi të jashtëzakonshme këtyre zgjedhjeve, ne do e bëjmë një vlerësim të procesit në tërësi”, tha ai.

Cramon-Taubadel, tha se në vitin 2017 të zgjedhjeve nacionale, BE-ja kishe dhënë 27 rekomandime për procesin zgjedhor në Kosovë, por sipas saj shumë nga to nuk ishin zbatuar.

“Misioni për zgjedhjet e hershme parlamentare të vitit 2017 vlerësoi 27 rekomandime dhe shumë nga këto rekomandime nuk janë zbatuar. Ne dëshirojmë të shohim përmirësime në zbatimin e të drejtës demokratike ndaj të gjithë atyre që gëzojnë të drejtë vote në Kosovë. Votuesit do duhej që të votojnë në fshehtësi pa kurrfarë trysnie. Ne duhet të sigurohemi që të gjithë votuesit që janë në listën e votuesve, kanë të drejtë të votojnë”, tha ajo.

Kryevëzhguesja e EU EOM, tha se një problem ekzistues në procesin zgjedhor në Kosovë, është numri më i madh i votuesve se sa i qytetarëve, një fenomen i cili është kritikuar edhe nga BE-ja por që nuk ka gjetur zbatueshmëri si rekomandim i BE-së.

“Është një problem ne e kemi regjistrimin e popullsisë nga viti 2019. Në të vërtetë numri i votuesve shkon më i madh se sa është numri i qytetarëve, pra është një nga rekomandime tona, por që nuk është zbatuar. Unë kam një interes shumë të madh që në Kosovë të kemi një proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës. Unë dua të ftoj qytetarët të votojnë dhe ata duhet të jenë të bindur që vota e tyre llogaritet”, tha ajo.

Ndërsa Elissavet Karagiannidou, analiste financiare e misionit të BE-së në Kosovë, tha se nëse do të gjenden parregullsi gjatë këtij procesi në raportet financiare të subjekteve partiake dhe nëse auditimet nuk do bëhen me kohë, atëherë do të pasojnë edhe gjoba.

“Ne do ta shqyrtojmë transparencën e financave zgjedhore, duam të shohim se si bëhen publike raportet e të hyrave gjatë zgjedhjeve nga subjektet partiake. Duam të sigurohemi që ka mbikëqyrje të vazhdueshme, që autoritetet dhe auditori e bëjnë punën e tyre me kohë. Nëse gjejmë ndonjë parregullsi, atëherë do shqiptohen edhe gjoba”, tha ajo.

EU EOM do të publikojë një deklaratë preliminare pas ditës së zgjedhjeve dhe do të qëndrojë në Kosovë për të vëzhguar procesin e rezultateve deri në përfundim.

Një raport final do t’i përfshijë rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme i cili do të prezantohet dy deri në tre muaj më vonë.

Ky është misioni i pestë i vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE në Kosovë që nga viti 2013.

Ndryshe ky mision do përbëhet nga 9 analistë, 18 vëzhgues afatgjatë të cilët do ti mbulojnë 38 komuna.

Të ngjashme