BE-ja prish kontratën 5 milionëshe për ndërtimin e deponisë në veri

Prishtinë | 14 Tet 2019 | 08:27 | Nga Ekonomia Online

Sipas një njoftimi të Zyrës së BE-së në Kosovë, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe, prishja e kontratës me kompaninë bullgare “Buildin Development Hoding” është bërë për shkak të ngecjeve të mëdha në realizimin e projektit, që është dashur të përfundojë në nëntorin e vitit 2018. Deponia rajonale e mbeturinave në “Savina Stena”, në veri, është paraparë të deponojë mbeturina për 200 mijë banorë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Mitrovicë. Zyra e BE-së në Prishtinë ka ndërprerë kontratën me një kompani që ka filluar realizimin e projektit të deponisë rajonale të mbeturinave për komunat veriore të Kosovës në vendin e quajtur “Savina Stena”. Sipas medieve lokale serbe (TV Most), prishja e kontratës është bërë për shkak se BE-ja, e cila ka investuar 5 milionë euro në këtë projekt, nuk është ndarë e kënaqur me dinamikën e punëve që janë duke u zhvilluar dhe ngecjeve të shumta.

“Për shkak të përparimeve të vogla në kuptimin e punëve në ndërtimin e deponisë dhe për shkak të kapaciteteve të vogla në realizimin e planit të projektit nga ana e kryesit të punëve, Zyra e BE-së ka ndërprerë kontratën dhe ka realizuar marrëveshjen me kryesin e punëve që punët t’i jepen palës së tretë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së. Bëhet fjalë për kompaninë bullgare BDH.

Sipas njoftimit, tani është në proces bartja e kontratës dhe se rifillimi i punimeve ka qenë dashur të bëhet në shtator ose më së voni nga mesi i tetorit. Projekti 5-milionësh financohet nga BE-ja, ndërsa si mbështetje teknike shtesë për përmirësimin e mbledhjes dhe bartjes së mbeturinave për komunat veriore të Kosovës është realizuar me ndihmën e BE-së dhe të GIZ-it në shumën prej 1.2 milion eurove. Rreth 415 mijë euro janë siguruar nga Fondi për Zhvillimin e Veriut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme