Bedri Halimi: Nuk ka asnjë arsye që të mos vazhdohen punimet e hidrocentralit në Shtërpcë

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 20:00 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së sotme në Komunën e Shtërpcës kanë protestuar  rreth 60 qytetarë në shenjë pakënaqësie lidhur me ndërtimin e hidrocentralit në këtë lokacion.

Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor , Bedri Halimi, ka thënë se kompanitë që kanë për të ndërtuar hidrocentralin i janë nënshtruar të gjitha procedurave ligjore.

“Aty kompanitë i janë nënshtruar të gjitha procedurave ligjore duke filluar në radhë të parë nga komuna e Shtërpces për tu pajisur me pëlqim, dhe pastaj për të vazhduar me institucionet tjera relevante për të plotësuar kushtet në vijim si me ZRRE-në dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.

Halimi tha se këta qytetarë para disa muajve kanë dorëzuar një peticion ku kanë shprehur pakënaqësitë rreth ndërtimit të hidrocentralit, ku pas kësaj ai tha se ata kanë marrë një përgjigje në gjuhën serbe.

“Ekspertët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë dalë në vendin e ngjarjes, pastaj është vendosur që bashkë me ARPL-në dhe departamentin e ndërtimit, që ekspertë të dalin në terren për të parë se a qëndrojnë në esencë të gjitha shqetësimet që janë ngritur nga qytetarët”.

“Pas një analize të bërë, nga ekspertët ,ne si inspektorat i kemi dhënë një përgjigje të përkthyer në gjuhën serbe”.

“Unë e përmenda dokumentacionin që del nga institucionet relevante dhe operatori është i obliguar që t’u përmbahet kushteve të lejeve që janë dhënë deri tani duke filluar në radhë të parë nga Komuna dhe pastaj nga Ministria e Mjedisit”.

Halimi në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës po ashtu tha se nuk duhet të ketë shqetësime të pabaza, gjithashtu tha se nuk ka arsye që të mos vazhdojnë punimet.

“Ata përpos tjerash kanë thënë që ka edhe turbullim të ujit, kjo nuk  qëndron, ngase ata ujin e marrin nga burimi dhe jo drejtpërdrejtë nga lumi siÇ është thënë”.

“Ne jemi si inspektorat, si ministri jemi për plotësimin e të gjitha kritereve që dalin nga të gjitha dokumentet si pëlqimet mjedisore, ujore”.

“Inspektorati ka për detyrë  t’i përcjell  të gjitha këto, kështu nuk ka asnjë arsye që të mos vazhdohen punimet, por duhet të jenë gjithmonë strikt sipas rregullave ligjore”, tha Halimi më tej në Info Magazine të Klan Kosovës.

Të ngjashme