Bëhet thirrje për fuqizimin e gruas në shoqëri

Prishtinë | 08 Mar 2019 | 14:59 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kolegji UBT ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Sfidat dhe tejkalimi i tyre për arritjen e fuqizimit të vajzave dhe grave në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Jorida Xhafaj, dekane e Fakultetit të  Juridikut në UBT, theksoi rëndësinë e të drejtës së gruas për të pasur pronë, teksa bënë një diferencë nga viti 2005.

“Shpesh herë dëgjojmë për gra që kanë ide të mira, janë të shkathëta për sipërmarrje, por ndalen sepse nuk kanë të drejta në një pronë apo nuk kanë garancë financiare. Në Kosovë nga 17 për qind sa kanë qenë deri në 2005, tani flasim për 25 për qind të pronave që janë pronësi e grave”, tha Xhafaj.

Fisnete Hajrizi, bashkëthemeluese e UBT tha se gruaja është themel i shoqërisë.

“Jam e lumtur që 40 për qind e stafit të UBT-së janë gra dhe nuk është një staf prej 30 a 100 vetësh, por një staf me 300 persona. Fuqizimin e gruas nuk mund ta kërkojmë nga burrat, por fuqizimin e gruas duhet ta arrijmë duke e përkrahur njëra tjetrën. Para se të gjykojmë se nuk ia del një grua, t’i japim përkrahje. Sot është një festë, akoma jo, por mund ta quajmë festë të vogël. Shpresoj që më të mos flasim për barazinë gjinore, por për atë sa jemi të forta”, tha Hajrizi.

Syheda Latifi Hoxha, gjinekologe, tha se Kosova është në nivel gati të njëjtë me Evropën sa i përket shëndetit të gruas dhe fëmijës.

“Çdokush nga ne kemi nëna, jemi nëna ose do të bëhemi nëna. Lyp një dije fenomenale, lyp gëzim maksimal. Nis gjë normale por mund të përfundojë në fatalitet. Edhe pse lindja është proces natyror, është përvojë e prindërve megjithëse në vit vdiset nga procesi lindjes, shtatzënia. Fatmirësisht tek ne falë angazhimit të femrave, mësimit dhe dija e femrave tona arrin të shpëtojë jetë”.

Ajo tha se falë asociacioneve botërore të shëndetit, gratë kosovare kanë arritur të mësojnë dhe falë tyre është arritur që të ketë rënie të vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve.

“Shpresoj se me ndihmën e të gjitha asociacioneve kosovare mbijetesa e grave dhe e fëmijëve do të jetë e madhe”, u shpreh ajo.

Arbenita Tërdevci, anëtare e institutit Women for Equality, shpalosi nevojën e shtimit të informacioneve në internet për gratë.

“Ne kemi fillu punën pasi kemi pa pabarazinë e grave në çdo sektor. Jemi në nisje të projekteve për të siguruar jetën e vajzave dhe grave. Jemi në mbylljen e zbrazëtirave në internet për gratë. Është fatkeqësi, por normale që moshat e mesme të ndihen më inferiore pasi një jetë janë ndjerë të tilla.  Jo që vajzat nuk kanë vlerë, por është shkaku se 90 për qind e njerëzve të suksesshëm në botë janë burra. Brenda një viti në Kosovë kanë pësuar dhunë 1496 gra, vetëm 4 për qind e grave gëzojnë të drejtë në pronë. Këto janë një thirrje për të vepruar dhe mobilizuar sa më shpejtë në të drejtat e gruas”, tha Tërdevci, raporton EO.

Altinë Nika, menaxhere e projektit “Sa Punë”, prezantoi punën artizanale si një biznes të suksesshëm të grave.

“Po flitet për barazinë, shëndetësinë, por pse në masë kaq të madhe nuk flitet për të arriturat e grave në biznes. Përveç që ne po sjellim po edukojmë fëmijë, po edukojmë nëna, jemi munduar që çdo produkti t’ia shtojmë edhe një vlerë ekologjike”, u shpreh Nika.

Të ngjashme