Behramaj reagon për shtyrjen e paraqitjes në Speciale të Thaçit e Veselit

Prishtinë | 10 Shk 2021 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Behramaj pas shtyrjes së paraqitjes së Thaçit e Veselit: Po druhen që prezenca mediale e tyre ndikon te votuesit

Ish-këshilltari politik i ish-presidentit Thaçi, Adil Behramaj, e ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen e paraqitjes së Thaçit e Veselit para Gjykatës Speciale deri më 16 shkurt, që më herët ishte planifikuar për datën 11 shkurt, tri ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.

Behramaj ka thënë se ky vendim i Gjykatës Speciale është sërish kalkulim politik, sepse po druhen që prezenca mediale njëditore e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ndikon te votuesit dhe ua prishë atyre skenarin politik, që po mundohen ta jetësojnë në emër të drejtësisë.

Ish-këshilltari i Thaçit ka thënë se kjo është një dëshmi tjetër që largimi i tyre nga skena politike në emër të drejtësisë ishte dhe mbetet tërësisht i sinkronizuar.

Ky është statusi i plotë i Adil Behramajt, ish-këshilltarit të Thaçit:

Që nga njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dorëzimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, një praktikë e paprecedent në drejtësinë ndërkombëtare, deri në vendimin e tashëm për shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjykatës Speciale, nga 11 shkurti në 16 shkurt, duket se nuk ka asnjë rastësi në sjelljen e kësaj gjykate me themeluesit e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit të Kosovës.

Me publikimin e njoftimit për ngritjen e aktakuzës ende pa u konfirmuar, Gjykata Speciale bëri gjeopolitikë. Me shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjyqtarit të Procedurës, sepse jemi në prag të ditës së zgjedhjeve, Gjykata Speciale bëri kalkulim politik. Po i frikësohen paraqitjes së Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe në Dhomat Speciale në Hagë. Po druhen që prezenca mediale njëditore e tyre ndikon te votuesit dhe ua prishë atyre skenarin politik, që po mundohen ta jetësojnë në emër të drejtësisë.

Kjo është dëshmi tjetër që largimi i tyre nga skena politike në emër të drejtësisë ishte dhe mbetet tërësisht i sinkronizuar.

Megjithatë, të drejtën e votimit nuk ua kanë mohuar dhe votat e tyre kanë arritur nga Haga në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Hashim Thaçi e Kadri Veseli dihet kënd e kanë votuar dhe dihet se kënd do të dëshironin që ta votonit edhe ju.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme