Beqaj deklaratat e Erdoganit i quan grusht i fortë në raportin mes dy shteteve

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 17:33 | Nga

Politologu Behlul Beqaj, ka bindjen se në situatën e krijuar pas arrestimit dhe deportimit të 6 shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, si dhe deklaratave që së fundmi janë bërë nga presidenti turk Erdogan, duhet pasur kujdes që çështja e lidhjeve autoritare të lidershipeve në Turqi dhe në Kosovë, të mos ndërlidhen me orientimet e shtetasve të Turqisë, kur bëhet fjalë për raportet e tyre ndaj Kosovës.

“Gjithsesi është një grusht i rëndë, i cili e ka dëmtuar një raport të shkëlqyeshëm që e kanë pasur këto dy shtete. Por, veprimet autoritare nuk do të ishte mirë që t’i identifikojmë me orientimet e shoqërive në Turqi dhe në Kosovë. Këto janë veprime të liderëve autoritarë dhe duhet të kemi kujdes që liderët autoritarë të mos kenë vend dhe hapësirë as në Kosovë e as në Turqi”, ka thënë Beqaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

“Sa më shumë që përshpejtohet procesi i largimit të tyre, aq më shumë dhe më shpejtë mund të përforcohet prapë raporti i mirëfilltë i interesave të ndërsjella, duke respektuar sovranitetin e ndërsjellë dhe duke respektuar interesat e përbashkëta në mes Turqisë dhe Kosovës”, ka thënë më tej Beqaj.

Gjatë një fjalimi të mbajtur në kongresin e rregullt të partisë në pushtet AKP, ditën e diel, presidenti turk Erdogan, ka thënë se “e falënderon presidentin e Kosovës”. Ndërkaq “ kryeministrit i them ‘turp’”, ka thënë Erdogan. Edhe ditën e shtunë presidenti turk ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës, Haradinajn, duke thënë se “do të paguajë” dhe se së shpejti do t’i përfundojë karriera, për shkak se ky i fundit ka larguar nga detyra kreun e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, për shkak se nuk e kishin njoftuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Në anën tjetër, përkundër dy deklaratave radhazi të presidentit turk Erdogan, përmes të cilave ka kritikuar, por edhe kërcënuar kryeministrin Haradinaj, ky i fundit nuk ka reaguar deri më tash.

Të enjten e javës së kaluar në Kosovë janë arrestuar dhe më pas deportuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Pesë prej të dëbuarve ishin punonjës në shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk. Erdogan, e fajëson klerikun Gulen për një përpjekje grusht-shteti në Turqi më 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme