Berisha: I përmbushëm të gjitha objektivat gjatë këtij viti, synojmë anëtarësimin në NATO

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 12:03 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka mbajtur konferencën e fundvitit për medie, në të cilën është shpalosur puna dhe rezultatet e arritura gjatë vitit 2019, raporton Ekonomia Online.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se ky ka qenë vit i suksesshëm me realizimin e të gjitha objektivave.

“Mund ta konstatojmë që të gjitha objektivat e parapara për vitin 2019 janë realizuar me sukses. Kemi arritur ato kapacitete që i kemi pasur me mandatin e vjetër. Në këtë vit kalendarik, kemi realizuar tranzicionin e Ministrisë së Mbrojtjes, shtabit të përgjithshëm dhe kemi pasë rastin që në “Ditën e Forcës” t’i shohim të rreshtuara të gjitha këto njësi sipas strukturës së re, kemi pa emblemat e reja, simbolet flamujt e njësive që atë ditë ka qenë një ditë e veçantë për të gjithë ne”.

“Pas rekrutimit të fundit kemi arritur ta rrisim përqindjen e komunitetit jo shumicë, ta rrisim përqindjen e gjinisë femërore që është 11% ndërsa për komunitetet jo shumicë 10%.

Berisha theksoi se FSK-ja vazhdon të jetë institucioni më i besuar në vend dhe kjo është falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

“FSK-ja vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm në vend dhe kjo besueshmëri është më e theksuar tek komunitetet jo shumicë me 12%. Kjo e arritur është fal punës tonë të të gjithë stafit dhe falë bashkëpunimit me partnerët tanë, NATO-n, SHBA-në dhe këtë bashkëpunim synojmë ta avancojmë edhe më shumë. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me shtetet e rajonit dhe me ato shtete që janë pjesë e NATO-s, jemi të përkushtuar të punojmë më të gjitha standardet e NATO-s pasi e kemi synim anëtarësimin në NATO”, tha ai, raporton EO.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, tha se përmbyllja e një viti të suksesshëm është meritë e të gjithë ushtarëve .

“Po e përmbyllim një vit si ushtri e Kosovës dhe e kemi pritur me shekuj këtë vit, por i kemi realizuar objektivat e ministrisë. Ky sukses është i përbashkët, por merita më e madhe shkon për ushtarët oficerët, nënoficerët që kemi tejkaluar të priturat tona. Çdo proces i tranzicionit  i ka sfidat dhe do të vazhdojmë punën me mandatin që e kemi marrë”.

Rama tha se nga viti i ardhshëm do të jenë pjesë e aktivitete përkrah partnerëve.

“Që nga viti i ardhshëm jemi duke i marrë të gjitha masat që prestarët tanë të jenë në mision paqësor si Kosovë, qoftë ne regjion do të jemi pjesë e të gjitha aktiviteteve që do të ndodhin dhe ky është ndërtim i marrëdhënieve të mira me aleatët pasi jemi në rrugë të mirë të jemi krah i gjithë partnerëve tanë”, tha Rama, raporton EO,

Të ngjashme