BERZh, BE-ja dhe Austria mbështesin mbjelljen e 140 pemëve në Prishtinë

Prishtinë | 24 Nën 2021 | 12:55 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

140 pemë bliri u mbollën në Prishtinë në përpjekje për ta bërë qytetin më të gjelbëruar, raporton Ekonomia Online.

Pemët u dhuruan nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Bashkimi Evropian (BE) dhe Austria, në kuadër të Programit për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor (GEFF), i cili mbështet individët që investojnë në masa të efiçiencës së energjisë.

Neil Taylor, Shef i BERZh në Kosovë, deklaroi se efiçienca ndikon në konsum dhe fatura më të ulëta të energjisë.

“Përmirësimi i efiçiencës së energjisë çon në konsum dhe fatura më të ulëta të energjisë dhe në përgjithësi cilësi më të mirë të jetesës dhe ne jemi të kënaqur që familjet në Kosovë kanë qenë në gjendje t’i ndiejnë këto përfitime falë programit tonë GEFF”.

“Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjithë partnerët e GEFF dhe donatorët, BE dhe Austria, përfshirë Bankën TEB, Bankën ProCredit, Bankën Raiffeisen dhe dy institucionet mikrofinanciare AFK dhe KRK, si dhe tregtarët e teknologjive të gjelbërta: Termoklima, Ylli Company, Graniti & Co SHPK, Enrad, Lokaj Plast dhe Fetoshi që na ndihmuan që ta zgjerojmë me sukses programin GEFF në Kosovë”.

Hillien Francke, nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se ndotja e ajrit mbetet një nga sfidat më të mëdha në Kosovë, duke shtuar se do të vazhdojnë të mbështesë autoritetet lokale dhe qendrore në Kosovë për të reduktuar ndotjen e ajrit.

“Ndotja e ajrit mbetet një nga sfidat më të mëdha në Kosovë. Pemët dhe pyjet luajnë një rol kyç në mbajtjen e ajrit tonë më të pastër dhe më të shëndetshëm. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë autoritetet lokale dhe qendrore në Kosovë për të reduktuar ndotjen e ajrit”.

“Së bashku me partnerët tanë ne po mbështesim shumë projekte që synojnë të kalojnë drejt burimeve të energjisë së pastër dhe të rinovueshme, ngrohjes më efikase dhe rritjes së efiçencës së energjisë. Shpresojmë dhe presim që vendosmëria jonë të përputhet me politikëbërësit e Kosovës”.

Zv.ambasadori i Austrisë, Martin Schaller, tha se Austria ka investuar mbi 5 milionë euro deri më tani për programin GEFF.

“Efiçenca e energjisë është një burim i fuqishëm për t’u shfrytëzuar, por kërkon përpjekje dhe bashkëpunim kolektiv. Austria ka dedikuar mbi 5 milionë euro deri më tani për programin GEFF dhe për këtë arsye është një partner kyç në këtë përpjekje”.

“Në të vërtetë, është fantastike të shohësh se programi tashmë ka ndihmuar një numër mbresëlënës të njerëzve në Kosovë dhe në rajonin e gjerë për të përmirësuar efikasitetin energjetik të shtëpive të tyre dhe kështu ka kontribuar në reduktimin e emetimeve”.

Fatime Hajdari, Drejtore e Drejtorisë së Parqeve në Komunën e Prishtinës, tha se donacion prej 140 drunjve do të ndihmojë në uljen e ndotjes, raporton EO.

“Komuna e Prishtinës falënderon të gjithë donatorët të cilët janë pjesë e kësaj nisme të qëlluar, Prishtina si qytet me ndotje të lartë ka nevojë të vazhdueshme për mbjelle të reja. Ky donacion prej 140 drunjve do ndihmojë në uljen e kësaj ndotje dhe kontribuon për një ambient më të gjelbër e më të pastër”.

Për të shënuar rezultatet e programit GEFF dhe për të kontribuar në mënyrë simbolike në luftën kundër ndryshimeve klimatike, BERZH, BE dhe Austria do të mbjellin 1 000 pemë në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor gjatë muajit nëntor 2021 – Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore dhe në Serbi. Pemët janë gjithashtu shpërblim i BERZH-it për 18 institucionet financiare partnere më aktive dhe për 32 prodhues dhe tregtarë të teknologjive efiçiente ndaj energjisë, për kontributin e tyre në suksesin e programit GEFF në Ballkanin Perëndimor.

Individët që dëshirojnë të përmirësojnë efiçiencën energjetike të shtëpive të tyre mund të aplikojnë për kredi të dedikuara nëpërmjet institucioneve financiare partnere të GEFF në Kosovë. Pas përfundimit me sukses të investimit, individët do të marrin grant të financuar nga BE në vlerën deri në 20 për qind të shumës së kredisë, gjë që i bën këto investime më të përballueshme për individët.

GEFF, të cilin e zhvillon BERZH-i dhe që bashkëfinancohet me fondet e granteve nga BE, Ministria Federale e Financave të Austrisë, dhe donatorë dypalësh në Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), ka mbështetur në katër vitet e fundit mbi 9 000 familje në Ballkanin Perëndimor për të përmirësuar efiçiencën energjetike duke investuar në dritare të reja, izolim, pompa nxehtësie, etj.

Programi, i cili ofron linja të specializuara kredie dhe grante, ka financuar investime në teknologjitë e gjelbërta me vlerë mbi 45 milionë euro. Programi është pjesë e Programit Rajonal për Efiçiencën e Energjisë (REEP) për Ballkanin Perëndimor dhe zbatohet në partneritet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme