Betohen kadetët- student të gjeneratës-24 të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së

Prishtinë | 25 Sht 2020 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Në ambientet e kazermës “Adem Jashari”, sot u mbajt ceremonia ushtarake e betimit të kadetëve – studentë  të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së të gjeneratës së studimeve 2020 – 2024.

Në ceremoninë e organizuar me pjesëmarrje të kufizuara për shkak të masave kundër COVID-19, morën pjesë ministrja e Mbrojtjes, Sadika Kofrc, ministri i Mbrojtjes, Muhametalli Mergjollar, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i FSK-së, gjeneralmajor, Enver Cikaqi,  drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Frank Best, stafi tjetër i lartë ushtarak dhe civil i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, oficerë të NALT-it, këshilltarët ushtarak bilateral, si dhe familjarë të kadetëve – studentë të rinj.

Me protokollin e ceremonisë ushtarake, me fjalë përshëndetëse dhe mesazhe urimi, kadetëve-studentë të rreshtuar, stafit drejtues dhe akademik  të QSU-së dhe të pranishmëve tjerë, iu drejtua, nikoqiri i ceremonisë, komandanti i QSU-së, kapiten Lirim Bllaca dhe gjeneral Rama, kurse për shkak të angazhimeve tjera jashtë vendit, u lexua letra përshëndetëse me mesazhe urimi e dërguar nga ministri i Mbrojtjes, Anton Quni.

Në fjalën e tij, gjeneral Rama, përveç urimeve, theksoi se rrugëtimi i nisur për të realizuar arritjen e standardeve më të larta profesionale dhe akademike do të realizohet me programin tejet sfidues për përgatitje psikike, fizike, profesionale dhe intelektuale. “Sot, Ju do të betoheni para flamurit, prindërve, dhe udhëheqësve tuaj, që do të jeni të përkushtuar ndaj vendit, duke pasur gjithmonë parasysh moton e ushtarakut: Detyra, Nderi, Atdheu” tha ai. Gjeneral Rama, vlerësoi lartë të arriturat e QSU-së për 25 vjet me radhë, në funksion të ndërtimit  të forcave moderne, profesionale, multietnike, të disiplinuar dhe të trajnuar sipas standardeve të ushtrive perëndimore së bashku me partnerët tanë strategjikë. Ndër të tjera, kadetët e rinj i inkurajoi që ta sfidojnë vetveten sa më shumë dhe ta mbrojnë njëri tjetrin. “Të qëndroni të bashkuar, Një për të gjithë, e Të gjithë për një!” porositi në fund , gjeneral Rama.

Me letër-urimin, drejtuar kadetëve-studentë të rinj, ministri Quni, çmoi shumë lartë ata, duke i vlerësuar si “E tashmja dhe e ardhmja e forcave tona si dhe Më të mirët prej më të mirëve”. 

Ai kërkoi nga ta, përkushtim të madh gjatë studimeve duke këshilluar që shpirti patriotik të udhëheq vlerat e moralit, ndërsa profesionalizmi të jetë qëllimi më i lartë gjatë studimeve katër vjeçare. “Si Ministër i Mbrojtjes besoj se me suksesin më të lartë do të realizoni planin mësimor dhe praktik  të paraparë  dhe me njohuritë e arritura  në të ardhmen do të jeni oficerë të NATO- së dhe krah për krah me kolegët e juaj nga ushtri të vendeve anëtare të Aleancës, do të jepni kontributin tuaj në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit kudo që është e nevojshme” theksoi në fund të letër-urimit të tij, ministri Quni.

Ceremonia përkatëse u organizua me fillimin e vitit akademik 2020/21 të QSU-së për gjeneratën-24 të saj me 16 kadetët-studentë të cilët do të ndjekin studimet e rregullta katërvjeçare sipas plan programeve mësimore me module teorike dhe praktike sipas standardeve të akademive më të avancuara ushtarake perëndimore e veçanërisht SHBA-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme