Biblioteka e qytetit në Gjilan hap dyert për lexuesit nga e hëna

Gjilan | 11 Sht 2020 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Gjilanit ka konfirmuar se nga e hëna përveç hapjes së shkollave do të hapet edhe biblioteka e qytetit për lexuesit.

Ndërkaq ekipet mobile shëndetësore do të jenë të pranishme në këto institucione ku edhe do të bëhet matja e temperaturës nëpër shkolla dhe në bibliotekën e qytetit.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar se numri i lexuesve në sallat e bibliotekës në qytet do të jetë i kufizuar dhe se çdo lexues do të jetë i detyruar që të mbajë maskën.

“Nga e hëna do të hapim bibliotekën e qytetit për lexuesit me numër të kufizuar dhe me masa mbrojtëse. Do të kemi edhe ekipin mobil të mjekëve në mënyrë që të kontrollohet dhe të inspektohet gjendja e qytetarëve që frekuentojnë ato objekte”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se me hapjen e shkollave duhet rritur edhe përgjegjësia dhe ata prindër të cilët dyshojnë se fëmijët e tyre kanë temperaturë të lartë duhet të njoftojnë shkollën dhe fëmijët e tyre të qëndrojnë në shtëpi dhe më pas mjekët do të vizitojnë për të konstatuar gjendjen e fëmijës. Ai ka thënë se edhe nëpër shkolla do të monitorohet gjendja nga ekipet shëndetësore.

Haziri ka folur edhe për numrin e të infektuarve me COVID-19 në këtë komunë. Ai ka thënë se 27 persona janë të shtrirë në Spitalin Regjional të Gjilanit ku 6 qytetar janë në përkujdesje intensive.

“Kemi vlerësimin për 24 orët e fundit. Kemi 27 të konfirmuar me COVID-19 në hospitalizim në Spitalin Regjional të Gjilanit. Kemi 111 raste aktive kurse 41 qytetar kanë humbur betejën ndaj COVID-19”, ka shtuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme