Bie numri i aplikuesve për statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës

Prishtinë | 09 Nën 2019 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Muajt e fundit numri i personave që kanë aplikuar për ta marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës ka rënë. Deri më tani, kur janë mbushur 21 muaj, qëkur procesi i verifikimit ka nisur për të marrë këtë status sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, kanë aplikuar gjithsej 1.119 persona. Ky numër, sipas përfaqësuesve të organizatave që janë marrë me trajtimin e viktimave të dhunës seksuale që nga paslufta, është i kënaqshëm, kur krahasohet me numrin e viktimave të dhunës seksuale që i janë përgjigjur procesit të verifikimit në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Atje, sipas tyre, që nga viti 2006 kanë aplikuar vetëm rreth një mijë persona, shkruan sot Koha Ditore.

Përkundër kësaj, sipas drejtoreshës së organizatës joqeveritare “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada, muajve të fundit ka rënie të numrit të aplikuesve, krahasuar me fillimin e procesit.

“Nëse e shohim nga fillimi, muajt e parë e deri më sot e shohim që ka rënie të aplikacioneve, mirëpo nuk do të thotë që nuk do të ketë ngritje, pasi që neve na duhet shumë punë për të bërë për shkak se stigma është ende shumë e madhe”, ka theksuar Sada.

Për rreth një mijë aplikues për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës është raportuar edhe para 5 muajve.

Por, sipas saj, numri i deritashëm i atyre që kanë aplikuar nuk është i vogël nëse krahasohet me vendet e tjera. “Për gati dy vjet, nëse e krahasojmë me vendet e tjera ne jemi shumë mirë, ta zëmë në Bosnjë-Hercegovinë prej vitit 2006 deri më tani kanë aplikuar 1.000 raste, kështu që ne kemi për këtë periudhë më shumë se 1.000 raste”, ka deklaruar Sada.

Formularit për aplikacion, sipas Rregullores, mund t’i bashkëngjiten edhe dokumente të tjera, siç janë raporti mjekësor, raporti psikologjik, raporti juridik, deklarata e dëshmitarit e të tjera. I gjithë procesi në këtë rregullore garantohet se do të jetë konfidencial.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme