BIK thotë se e arrestuara Ikballe Berisha-Huduti nuk ishte punëtore e tyre

Prishtinë | 07 Jan 2020 | 22:40 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka sqaruar se njoftuar se Ikballe Berisha-Huduti, e cila u arrestua sot në lidhje me komentet përkrahëse ndaj Iranit, asnjëherë nuk ka qenë punëtore e tyre.

Policia e Kosovës sot e ka arrestuar Igballe Berisha-Hudutin, pas deklarimeve dhe përhapjes së propagandës në përkrahje të gjeneralit iranian Qassem Soleimani, i vrarë nga forcat amerikane. Ajo dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

Në një komunikatë të lëshuar për media, Kryesia e BIK-ut thotë se deklaratat, qëndrimet, opinionet dhe predikimet e Hudutit nuk kanë asgjë të përbashkët me Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se znj. Igballe Berisha- Huduti, asnjëherë nuk ka qenë punëtore e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe rrjedhimisht deklaratat, qëndrimet, opinionet dhe predikimet e saj nuk kanë asgjë të përbashkët me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe as me interpretimin dhe mësimet tradicionalet të fesë islame të aplikuara ndër ne me shekuj. Për më tepër, siç dihet tashmë, personi në fjalë ka predikuar doktrinën shiite e panjohur ndër ne më parë”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.

Policia e Kosovës ka arrestuar sot gjatë ditës Ikballe Berisha – Huduti, e cila doli me një deklaratë publike kundër vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimanit.

Të ngjashme